Kerry: Ndërhyrja në Siri u pengua nga Britania e Madhe

Plani i Barack Obamës për ndërhyrjen ushtarake në Siri u ndal befas nga David Cameron dhe Parlamenti britanik. Kështu deklaroi kryediplomati amerikan John Kerry, duke fajësuar Mbretërinë ishullore për dështimin e politikës me Sirinë.

Vite më parë, Obama tha se do të bombardonte regjimin sirian nëse do të përdorte armë kimike, por edhe pasi kjo u provua, Shtetet e Bashkuara nuk e mbajtën premtimin, diçka që konsiderohet si njolla më e keqe në trashëgiminë e Obamës.

Vota e Parlamentit britanik konsiderohet prej kohësh nga Obama e të tjerë, si një faktor që ndali planin, por Kerry e hedh të gjithë fajin mbi Britaninë, vetëm një javë pas përballjes diplomatike me kryeministren Theresa May për rezolutën e OKB-së që dënoi Izraelin.

“Presidenti i Amerikës vendosi të përdorë forcën dhe e tha këtë publikisht për të reaguar ndaj shkeljes së ligjit ndërkombëtar dhe ‘vijës së kuqe’ që ai kishte zgjedhur. Por David Cameron zgjodhi të kërkonte lejen e Parlamentit dhe dështoi atje”, deklaroi Kerry, duke shtuar se kjo bëri që edhe Obama të konsideronte lejen e Kongresit.

Sipas tij, kjo vonoi ndërhyrjen dhe më pas, arritja e paktit për eliminimin e armëve kimike të Sirisë e nxorri atë jashtë loje.

Diplomati amerikan deklaroi se perceptimi i shumë njerëzve, se Obama po kërkonte një rrugë tjetër pavarësisht premtimit, ishte ai që lëndoi më shumë.