Natalie Portman refuzon pranimin e çmimit Genesis në Izrael

Fondacioni i cili ndan çmimin prestigjioz Genesis, bëri të ditur se fituesja e sivjetme e këtij çmimi, aktorja Natalie Portman, ka refuzuar të udhëtojë në Izrael në ceremoninë zyrtare të ndarjes, e cila do të mbahet në muajin qershor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesi i aktores amerikane ka njoftuar organizatorin se Portman është “shqetësuar tejmase”, nga zhvillimet e fundit në Izrael.

Fondacioni për çmimin Genesis thekson se aktorja Portman i ka informuar se “nuk ndjehet komode për të marrë pjesë në çfarëdo eventi publik në Izrael”.

Në njoftimin e publikuar nuk theksohet se për cilat zhvillime bëhet fjalë.

Së fundmi, Izraeli është vënë në shënjestër të kritikave për përgjigjen e tij brutale ndaj protestave masive të cilat po mbahen në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin, në të cilat në të shtënat izraelite mbi protestuesit më 30 mars, u vranë 28 palestinezë dhe qindra të tjerë u plagosën.

Fondacioni për çmimin Genesis thotë se druajnë se vendimi i aktores Portman “do të politizojë nismën tonë filantropike”.

Çmimi ndahet për të arriturat e hebrenjve të cilët kontribuojnë për njerëzimin.