Nagavci: Kërkesa e LDK-së për Glauk Konjufcën është e padrejtë dhe e papranueshme

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LV-së, Arbërie Nagavci ka përsëritur edhe një herë se nuk do të kthehen prapa në kohë e të vendosin për dorëheqjen e Glauk Konjufcës nga pozita e kryeparlamentarit, pasi që kjo kërkesë sipas tyre është e padrejtë dhe e papranueshme.

Nagavci ka shkruar në profilin e saj në Facebook se pozita e kryetarit të Kuvendit është pozitë kushtetuese dhe se Konjufca është zgjedhur me votat e 75 deputetëve.

“Përfaqësimi partiak nuk mund të jetë më i rëndësishëm se respektimi i rendit kushtetues. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës është pozitë kushtetuese. Me votat e 75 deputetëve ne kemi zgjedhur zt. Glauk Konjufca të na përfaqësojë në këtë detyrë dhe ai tashmë ka marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë.

Jam e bindur që gjithë dijet, kapacitetet dhe njohuritë e tij, zt. Konjufca do t’i vë në shërbim të kryerjes me përkushtim të detyrave dhe në të mirën e vendit.

Angazhimi jonë i përbashkët duhet të jetë që Kuvendit t’i kthehet besueshmëria, serioziteteti e profesionalizmi dhe zt. Konjufca tashmë ka marrë mandatin që të jetë në krye të këtij misioni”, ka deklaruar nënkryetarja e Kuvendit.

Nagavci shton se nuk ka asnjë arsye serioze dhe parimore se pse duhet të shqyrtohet një kërkesë e tillë e LDK-së.

“Çdo kërkesë për kthim prapa është shkelje e parimit të demokracisë, cënon vullnetin e deputetëve dhe godet që në fillim betejën për mënyrën e ndryshimit të qeverisjes, për çfarë morëm mandatin nga qytetarët e vendit.

Andaj është e padrejtë, pra dhe e papranueshme kërkesa për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit . Nuk ka asnjë arsye serioze dhe parimore se pse duhet të shqyrtohet një kërkesë e tillë.

Zt. Konjufca është zgjedhur në atë pozitë, ai ka mandat. Është përgjegjësi e tij e jo privilegj. Ai ka marrë përsipër misionin që të udhëheq Kuvendin dhe të kthej dinjitetin në institucionin më të lartë të vendit. Të drejtoj me profesionalizëm seancat, të largoj përfundimisht gjuhën fyese, denigruese e të urrejtjes nga foltorja e kryeparlamentarit, të udhëheqë me seriozitet e sipas rregullores punën e Kuvendit, të sillet me dashamirësi me opozitën e me integritet me të gjithë bashkëpunëtorët.

Beteja për t’i kthyer dinjitetin Kuvendit është vetëm një nga punët e mëdha që duhet të kryejmë, nga premtimet që u kemi dhënë qytetarëve. Kemi shumë punë tjera po aq të rëndësishme, shumë beteja për të fituar”, shton ajo.

Me LDK-në ka deklaruar se duhet që të forcojnë bashkëpunimin e të rritin besimin e jo të vendosen kushte.

“Me LDK-në duhet të shtojmë e forcojmë bashkëpunimin, të rrisim besimin ashtu që të përballojmë me sukses presionin që mund të kemi përball luftimit të krimit e korrupsionit, përballë proceseve të rëndësishme që do të kemi, duke parë gjithmonë interesin më të mirë të Republikës së Kosovës. Nuk është rruga e duhur që të bëjmë presion tani duke vendosur kushte të pakapërcyeshme, duke vënë interesat partiake mbi interesat e vendit.

Glauk Konjufca është njeriu i duhur në vendin e duhur, është obligim i joni që sa më parë të plotësojmë pozitat tjera të lira qeverisëse me njerëz kompetent, të ndershëm e me integritet dhe fillojmë punën për zbatimin e programit qeverisës”, ka thënë e njëjta.