Mustafa pret zyrtaren e BE-së, flasin për proceset integruese

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) të Bashkimit Evropian, Angelina Eichhorst. Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe për proceset integruese të Kosovës, njofton Kryeministria.

“Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar përkushtimin e saj të plotë në rrugën evropiane. Integrimi në BE është aspiratë e shumicës dërmuese të qytetarëve dhe institucioneve të saj, andaj kemi nevojë për përkrahje më të madhe në këtë rrugë, e cila siguron progres dhe stabilitet të gjithanshëm për Kosovën, rajonin dhe më gjerë”, ka thënë Mustafa.

Eichhorst foli për zhvillimet e fundit dhe proceset që lidhen me rrugën evropiane.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për çështjet tjera, siç janë procesi i zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja, për liberalizimin e vizave, si dhe proceset tjera evropiane.