Mustafa në 30-vjetorin e LDK-së ia bënë me dije Kurtit se nuk e lëshon postin e presidentit

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa në 30-vjetorin e themelimit të këtij subjekti politik, ka folur për marrëveshjen me Vetëvendosjen.

Në 30-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kreu i saj, Isa Mustafa, ka folur edhe për marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton lajmi.net.

Mustafa ka thënë se janë duke u bërë përpjekje që të arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen, por që sipas tij, kjo marrëveshje duhet të bëhen në harmoni me besimin e ndërsjell të këtyre dy subjekteve politike.

Ai po ashtu ka thënë se LDK-në dhe Vetëvendosjen e dallon vetëm një deputet dhe se sipas tij, LDK-ja është parti e cila ka përvojë dhe traditë demokratike.

“LDK ka treguar vullnet që të bashkëqeverisë me Vetëvendosjen. Ndarjen e përgjegjësive kemi besuar se duhet të jetë në harmoni me besimin që e kemi marrë nga qytetarët. Jemi duke bërë përpjekje që të arrijmë këtë marrëveshje e cila i siguron një koalicion 4-vjeçar. Në përpjekjet tona për të arritur marrëveshjen, jemi të vetëdijshëm për dallimet politike, por duke respektuar vullnetin e qytetarëve të gjejmë një rrugë që të bashkëqeverisim, ashtu siç e bëmë në opozitë. Qasja jonë së bashku me VV është që të ndajmë përgjegjësitë në harmoni me votën dhe të harmonizojmë të gjitha detyrat në mandatin 4-vjeçar. LDK është parti e parë pluraliste, ka përvojë dhe traditë demokratike, prandaj më së paku meritojmë dhe kemi nevojë për presion politik e mediatik gjatë procesit të kësaj marrëveshje. Ne kemi dëshirë që pa këto presion dhe pa fushatë kundër koalicion, ta bëjmë një koalicion i cili është meritor dhe do të bëhet për 4 vitet e ardhshme. Ne besojmë se edhe VV duhet t’i lexojë qartë rezultatet dhe të pranojë që jemi subjekt që dallojmë vetëm me një deputet”, ka deklaruar Mustafa.