Mustafa i beson akademik Islamit, kundërshtuesit i quan “pallavraxhi e zhurmaxhinj”

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, pas marrjes së raportit nga Komisioni për matjen e territorit të Kosovës, thotë se Kosova nuk ka humbur territor në shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, pyet se “… me çfarë të drejte disa pallavragji dhe zhurmagji, që argumentin më të madh e kanë të qesin me dorë dhe të shkundin letra të pavlera po na maltretojnë në emër të shkencës dhe ekspertëve të pavarur (nga përgjegjësia e tyre)”.

“Qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin lirshëm në vendet e Shengenit. Askush nuk ka të drejtë të pengoj këto procese as për interesa politike e as materiale”, thotë Mustafa.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Miq të nderur,
Kryetari i Komisionit qeveritar për matjen e territorit të Kosovës ma dorëzoi Raportin mbrëmë për të dhënat faktografike për territorin e Kosovës.

Akademik Hivzi Islami, kryetar i ASHAK me një sjellje dinjitoze, urtësi dhe plotë peshë të përgjegjësisë para shtetit dhe para kombit, tha se kanë bërë një punë me përkushtim për Kosovën, ai dhe anëtarët e këtij Komisioni. U ndjeva i nderuar që një akademik si Hivzi Islami, njeri që i ka dhënë shumë shkencës së Kosovës dhe shumë kuadro këtij vendi, drejtoi punën e një ekipe profesionale e cila i ofroi faktet e fundit Kosovës për territorin e saj.

Dhe deri sa vështroja Kryeakademikun tonë se me çfarë përgjegjësie nxjerr fjalët për të shprehur peshën e një punë që kanë kryer, mendoj se me çfarë të drejte disa pallavragji dhe zhurmagji, që argumentin më të madh e kanë të qesin me dorë dhe të shkundin letra të pavlera po na maltretojnë në emër të shkencës dhe ekspertëve të pavarur (nga përgjegjësia e tyre).

Komuna e Pejës, ajo e Istogut, Deçanit dhe Junikut që kufizohen me Malin e Zi konfirmojnë se nuk e kanë humbur asnjë pjesë të territorit të tyre.

Kosova nuk ka humbur territor në shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin lirshëm në vendet e Shengenit. Askush nuk ka të drejtë të pengoj këto procese as për interesa politike e as materiale.

Këtë punë duhet ta bëjmë ne shqiptarët e Kosovës dhe komunitetet joshumicë që nuk diktohen nga Serbia.

Kemi akoma mjaftë kundërshtar të pavarësisë sonë, pengues të proceseve shtetndërtuese dhe ithtar të izolimit të qytetarëve tanë. Nuk ka nevojë që edhe dikush tjetër të bëhet ndihmëtar i tyre” (sic.), ka shkruar Mustafa.