Muri hiqet nesër, marrëveshjen e nënshkroi edhe ambasadori amerikan

Muri që po qëndron që nga dhjetori në afërsi të urës së Ibrit në veri të Mitrovicës, nuk do të ketë ‘jetë’ më shumë se deri nesër, e diele. Kështu është vendosur mbrëmë në orën 2:00 pas mesnate.

Ajo çka bie në sy, është që në nënshkrimet për rrëzimin e murit është edhe emri i ambasadorit amerikan, Greg Delawie.

Në dokument janë të nënshkruar edhe kryeministri Isa Mustafa e përfaqësuesi special i BE-së, minsitri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinior, Kryetari i Mitrovicës së Veriut, shkruan gazetametro.

Ndryshe, në këtë dokument tregohet se muri do të largohet më së largu të dielën nga veriu i Mitrovicës.

“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së si dhe të Ambasadës së SHBA-ve, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, jemi pajtuar që të zgjidhim çështjen e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.