MPJ hedh poshtë pretendimet e Serbisë, kërkon që propaganda serbe të mos prezantohet si lajm

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dëshiron të njoftoj opinionin se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimet e ministrit serb Ivica Daçiq për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gana.

Republika e Kosovës është njohur nga 116 vende anëtare të OKB-së përfshirë këtu edhe Republikën e Ganës. Ministria e Punëve të Jashtme është në komunikim të rregullt me ambasadat e Ganës në qendra të ndryshme të botës, dhe asnjëra prej tyre nuk kane asnje informacion ne lidhje me pretendimin e ministrit serb.

Është e habitshme se si disa media, edhe në Kosovë, transmetojnë të pavërteta të servuara nga institucionet e Serbisë dhe përmes “fake news” domosdo i shkaktojnë dëm Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Gazetarët kanë kapacitet për të kuptuar seriozitetin e shtetit dhe betejat diplomatike me të cilat ballafaqohet Republika e Kosovës, andaj në këtë pikë duhet të tregohen shumë më të kujdesshëm dhe më profesionistë në mënyrë që të mos bien pre e propagandës serbe e cila nga Beogradi zyrtar prezantohet si lajm.

Metodat e mirënjohura dhe të bazuara në shembuj të tjerë që po i përdorë Daçiq me lobuesit e tij me histori të dyshim kriminale, janë në proporcion të zhdrejtë me politiken paqësore rajonale, paqen dhe harmoninë në mes shteteve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton të gjitha mediat në Kosovë dhe jashtë saj që të verifikojnë më shumë se njëherë secilin lajm për Kosovën i cili prodhohet në Serbi, duke e ditur mirëfilli se pas krimeve kundër njerzimit, përpjekjeve për të kryer gjenocidin dhe për ta shëndrruar Kosovën në tokë të djegur, Beogradit zyrtar tashti qëllim esencial ka mohimin e shtetësisë së Kosovës.