MPJ demanton kryeministren serbe: Ndalimi i zyrtarëve serbë u bë në koordinim me Haradinajn

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës mori vendim të enjten që asnjë zyrtari nga Beogradi të mos i japë leje të hyjë në shtetin e Kosovës, pas provokimeve e sjelljeve që po vijnë nga ky vend.

Mirëpo sot befasoi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, raporton lajmi.net.

Ajo deklaroi se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka thënë se vendimi për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë është lajm i rremë.

Mirëpo ky lajm u demantua kategorikisht nga këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj.

Ai i tha lajmi.net se kjo është një shpifje e medieve serbe, pasi vendimi i MPJ-së është në koordinim të plotë më kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kjo është shpifje e medieve serbe. MPJ ka marrë vendim në koordinim të plotë me kryeministrin dhe Qeverinë”, tha Zyberaj për lajmi.net.

Bërnabiq dhe Haradinaj janë pjesëmarrës në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Poznan.
Vendimi zgjoi reagime të ashpra edhe nga kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq dhe zyrtarë të tjerë të politikës nga Beogradi.