MPJ: Daçiq po gënjen, Gana nuk e ka tërhequr njohjen

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), të Kosovës e ka përgënjeshtruar lajmin për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti i Ganës.

Mëngjesin e sotëm, kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka bërë të ditur se Gana e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se sipas tij, Gana bëhet shteti i 16-të që ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Mirëpo, këto deklarata të Daçiqit, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës po i quan gënjeshtra.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë për lajmi.net, se kjo është një lajm i rrejshëm dhe propagandë e vazhdueshme e Daçiqit.

“Është lajm i rrejshëm i radhës . Çdo anëtar i OKB-së mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Shumica e vendeve anëtare të OKB kanë votuar në vitin 2010 rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB që filloi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është një propagandë e vazhdueshme dhe një fushatë e ndyrë nga Ivica Daçiq që është e kotë të humbësh kohën me të”, ka deklaruar Zyberaj për lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se kjo e vërteton faktin që Gana ka një ambasadore të akredituar në Kosovë.

“Gana ka një Ambasadore të akredituar në Kosovë. Gana ka një konsull nderi në Kosovë i cili i përfaqëson ata. Kohën e fundit ministri Pacolli u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Ganës në OKB në Nju Jork”, ka theksuar Zyberaj.

Në anën tjetër, mediet serbe kanë publikuar edhe notën verbale të tërheqjes së njohës, në të cilën tregohen edhe arsyet e këtij vendimi.