MPJ: Bota demokratike duhet të ndalë qasjen mohuese të Serbisë për krimet e dokumentuara

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dënuar deklaratat e liderëve serbë që po e mohojnë Masakrën e Reçakut pas dënimit me dy vjet burgim të ish-ministrit Ivan Todosijeviq që po ashtu mohoi këtë ngjarje sa ishte në këtë post.

MPJ ka ftuar edhe institucionet ndërkombëtare që të ushtrojnë presion për ndaljen e deklaratave të tilla që po shpërndajnë urrejtje.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dënon dhe shpreh shqetësimin e thellë për qasjen anti-humane dhe antinjerëzore të liderëve shtetërorë serbë në raport me krimet dhe gjenocidin që shteti i tyre ka kryer gjatë luftërave të fundshekullit të kaluar në njësitë e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën”.

“Mohimi i Masakrës së Reçakut (15 janar 1999) prej liderëve shtetërorë serbë, në krye me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq, që të dy ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Kasapit të Ballkanit, ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, nuk përbën asgjë as politike dhe as diplomatike, por është thjeshtë qasje fashiste e një shteti fqinj që nuk ka ndryshuar as pas 20 vjetësh”.

Kjo ministri ka përkujtuar edhe krimet që ndodhën nga forcat serbe në luftën e fundit.

“Në luftën e Kosovës (1997-1999), forcat ushtarako policore serbe kanë vrarë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, prej tyre 1133 fëmijë; kanë dhunuar rreth 20 mijë femra; kanë varrosur nëpër varreza masive në Serbi rreth 6000 trupa (disa qindra i kanë djegur në furra të shkrirjes së metaleve), me synim për të shlyer gjurmët e krimit; kanë djegur mbi 120 mijë shtëpi, kanë deportuar rreth një milion qytetarë dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur, para, ari dhe deri te traktorët dhe bagëtitë e bujqve shqiptarë”.

MPJ thotë se për luftërat në ish-Jugosllavi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për Krime Lufte ka dënuar Serbinë për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa dhjetëra drejtues të saj, politikë, ushtarakë, policorë dhe paramilitarë, janë dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që kanë kryer në Kroaci dhe Kosovë. Lideri i këtyre kriminelëve, i njohur si Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krimet e kryera në Kosovë dhe njësitë tjera të federatës ish-jugosllave.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton institucionet relevante të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos botën demokratike – Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ushtrojnë presion ndaj liderëve institucionalë të Serbisë për ndaljen e gjuhës së urrejtjes racore dhe mohimin e krimeve të dëshmuara edhe nga Gjykata për Krime Lufte e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sepse gjuha aktuale e tyre pamundëson ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore, dhe si rrjedhojë rrezikon edhe paqen dhe sigurinë e kësaj pjese të Evropës”.