MPB e Turqisë: Qytetarët po votojnë në atmosferë të qetë dhe të sigurt

Ministria e Brendshme e Turqisë njofton se zgjedhjet presidenciale dhe të 27-tat parlamentare po zhvillohen pa probleme, në atmosferë të qetë dhe nën masa maksimale të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

MPB e Turqisë bën të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur në ora 8:00 të mëngjesit të sotëm, sipas kohës lokale, dhe se deri më tani nuk janë regjistruar incidente të mëdha.

Për sigurinë e procesit zgjedhor po kujdesen 531.007 pjesëtarë të forcave të sigurisë. “Për masat e sigurisë gjatë zgjedhjeve janë angazhuar 264.526 policë, 195.695 pjesëtarë të xhandarmërisë, 50.793 roje dhe 19.993 roje vullnetarë”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet presidenciale dhe të 27-tat parlamentare në Turqi filluan sot në mëngjes në orën 8:00 sipas kohës lokale, ndërsa qytetarët turq deri në orën 17:00 do të kenë mundësinë të zgjedhin presidentin dhe deputetët në kuvend.

Sipas statistikave zgjedhore të publikuara nga Komisioni i Lartë Zgjedhor (YSK), 56.322.632 votues do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në 180.065 kuti votimi.