Mosmiratimi i buxhetit mund t’i shkaktojë pasoja FSK-së, kërkohet formimi i Qeverisë në dhjetor

Mosmiratimi me kohë i buxhetit mund të ketë pasoja për FSK-në, por edhe për institucionet e tjera. Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Rrustem Berisha, në një prononcim për Ekonomia Online tha  se shpreson që partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit që më së largu në dhjetor të formojë Qeverinë e re.

Berisha nuk mendon se buxheti mund të ketë ndikim në kuptimin organizativ.

“Shpresoj që në dhjetor do të krijohet Qeveria e re sepse vërtetë zgjedhjet të cilat janë mbajtur janë vlerësuar si zgjedhjet më të mira që janë organizuar deri më tani dhe nuk besoj që do të ketë ndikim në kuptimin organizativ, por në kuptimin e buxhetit jo vetëm FSK, por nëse nuk miratohet me kohë sigurisht që do të ketë pasoja edhe për institucionet tjera, për ministritë tjera. Unë shpresoj që partia e cila i ka fituar zgjedhjet do sa më parë do t’i implementon rezultatet e zgjedhjeve dhe do ta kemi Qeverinë e re”, ka thënë Berisha për Ekonomia Online.

Ministri Berisha tha se e kanë përgatitur buxhetin  të cilin e kanë dërguar në Ministrinë e Financave, por shpreson se ministri i ri në ardhje nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim të madh ngase thotë se buxheti është planifikuar mirë dhe është bërë punë e jashtëzakonshme në këtë drejtim.

E, nëse nuk bëhet Qeveria e re, ministri Berisha tha se do të vazhdojnë punën deri në emërimin e ministrit tjetër.

“Nëse nuk e kemi Qeverinë e re, do të vazhdojmë ne sepse edhe ashtu e kemi detyrë dhe obligim që deri në emërimin e ministrave tjerë që na duhet ta vazhdojmë punën. Ne i kemi përgatitur buxhetin, e kemi dorëzuar në Ministrinë e Financave, ministri tjetër i cili do të vije ka mundësi që nëse e sheh ndonjë ndryshim eventual mendoj që nuk do të ketë shumë sepse vërtetë këta grupi të cilët e kanë planifikuar buxhetin e kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim të madh”, tha ai për Ekonomia Online.

Buxheti aktual për vitin 2019 për Forcën e Sigurisë ka qenë 58 milionë euro dhe është paraparë që për çdo vit të shtohen nga 5 milionë euro.

Për vitin 2020 është e parapri të jetë 61 milionë, kurse për vitin 2021 buxheti do të jetë 66 milionë euro.