Mos u dëshpëro, gjithçka është kaluese…

Një ditë, mbreti urdhëron që të gjithë këshilltarët dhe oborrtarët e mençur të tij, të mblidhen në një takim urgjent.

Me tu mbledhur të gjithë kokë më kokë në pritje të asaj që do u thoshte mbreti, lartmadhëria e tij u ngrit në këmbë nga froni ku qëndronte ulur dhe u tha:

”U kam mbledhur që të më gjeni një fjalë të urtë tepër të goditur, të cilën do e mbaj varur mbi fronin tim mbretëror, e ta shoh herë pas here, që të përfitoj prej saj!”

Pas një heshtje dhe miratimi me kokë nga ana e të gjithë të pranishmëve, mbreti shtoi:”Po, dua një urtësi të goditur, e cila do të më inspirojë të vërtetën në kohë krizash, të më ndihmojë në kohë nevoje dhe të më orientojë në kohë gëzimi dhe lumturie!”

Oborrtarë e këshilltarë dolën nga takimi me mbretin të hutuar pa ditur se ç’të bëjnë. E si mund të gjendej një urtësi e tillë, që e frymëzon mbretin në çdo kohë për të reaguar si duhet?

Edhe ne vetë, në kohë vështirësish dhe sprovash, kërkojmë dikë tjetër që të na i lehtësojë vuajtjet, sakaq në kohë lumturie dhe gëzimi kërkojmë dikë që të na urojë dhe bekojë, që këto të mira ti kemi të përhershme.

Disa ditë më vonë, këshilltarë e oborrtarë të mençur u kthyen sërish tek mbreti, pasi kishin shkruar urtësi, me të cilët besonin se do e plotësonin kërkesën e mbretit të tyre.

Por, me ti lexuar një e nga një, mbretit nuk i pëlqeu asnjëra prej tyre. Në fletën e fundit që mbante në dorë, para se ta hedhë tek të tjerat, mbreti e lexoi dy tre herë, për tu siguruar nëse kishte ndonjë kuptim. Në letër shkruhej:”E gjitha kjo do të kalojë!”

Ai nuk po i shqiste sytë nga letra, ndërkohë që këshilltari që e kishte shkruar, u afrua dhe i tha:”Lartmadhëri! Jeta e kësaj bote luhatet nga një gjendje në një tjetër.

Kushdo që beson se është i sigurt dhe nuk do e prekë asgjë e keqe, e ka gabim pasi shumë shpejt do të zhgënjehet. Ditët e bukura dhe të lumtura do të vijnë, por shumë shpejt ata do të kalojnë, për t’ia lënë vendin mërzisë dhe dhimbjes fizike dhe shpirtërore.

Por, edhe mërzia do të kalojë. Ditët e fitoreve të lavdishme do të trokasin në portën e mbretërisë tënde, të gjithë do të brohorasin të gëzuar duke ia atribuuar këto fitore aftësive të mbretit të tyre të mirë.

Por, lartmadhëri, sado të gjata të jenë këto ditë, do të kalojnë. Me sytë e tu, do të shohësh lavdinë dhe zgjerimin e territoreve që kurrë nuk kanë qenë nën mbretërinë tënde. Por lartmadhëri, ligji i Zotit është i tillë, këto ditë do të përfundojnë dhe do të largohen…

Lartmadhëri, disa nuk e kuptojnë këtë urtësi, duke e shndërruar jetën e tyre në britma, qarje dhe vajtim në kohë vështirësish dhe fatkeqësish. Ata mendojnë se fatkeqësia dhe kobi që u ka rënë për pjesë, është fundi i botës, duke humbur kështu vullnetin dhe vendosmërinë për tu përballur me sfidat.

Ata janë dritëshkurtër dhe nuk shohin më larg se hunda e tyre. Në raste të tilla, u nevojiten njerëz që ua kthejnë vullnetin, i motivojnë dhe i nxisin për punë të mira, pasi ditët e vuajtjeve padyshim që do të kalojnë.

Bota nuk ka përse të shihet vetëm me optikë të zezë dhe nga pozita ligështie.
Disa të tjera lartmadhëri, janë të zhytur në kënaqësi dhe të ekzaltuar nga ditët e lumtura që po përjetojnë.

Kështu, ata nuk e lodhin veten të mendojnë për të ardhmen e largët, se njeriu varion mes të mirës dhe të keqes. Duke qenë kështu, ata kalojnë në ekstremitet me kënaqësitë dhe jetën e luksit, u duket sikur kanë pasuritë e botës në duar.

Është urtësia e Zotit o mbreti ynë, që çdo gjendje, e mirë apo e keqe, e gëzuar apo e hidhëruar, shumë shpejt do të kalojë.”

Pasi i dëgjoi të gjitha këto, mbreti buzëqeshi i kënaqur me gjithçka që i kishin dëgjuar veshët dhe menjëherë, urdhëroi që ato fjalë të arta, të qëndiseshin me fije ari dhe të vareshin jo vetëm mbi murin sipër fronit të tij, por edhe në sheshet dhe rrugët kryesore të mbretërisë.

Kushdo që kalonte në ato rrugë dhe sheshe, duhej të lexonte dhe ta kuptonte se:”E gjitha kjo do të kalojë!”

Mos e humb shpresen, se e gjitha kjo do te kaloje!Përshtati Elmaz Fida-/Mesazhi/