Mos e robëro popullin o rob i pushtetit!

Nga Xhenis Sulimani-E dua pushtetin për të qenë rojtar i lirisë si vlerë e mbarë shoqërisë, shtetit. “Ja ky idealisti tha diçka sa për ta mbushur një faqe gazetë”, ishte një zë lexuesi që më përcolli derisa përpilova partinë e parë, e që e ndjej te shumica e shoqërisë tonë.

Politikat botërore jemi shumë të vegjël për t’i diktuar, por minimumi që mund të bëjmë është të nxjerrim një leksion nga “lojtarët” e mëdhenj sa për ta aplikuar denjësisht një politikë të tillë në nivel lokal/rajonal.

Në Ballkan, njerëzit janë në kërkim të pushtetit edhe për ta humbur lirinë personale edhe për ta robëruar popullin.

Disa ditë para zgjedhjeve në Gjermani, Angela Merkel në pyetjen gazetareske se çfarë mekanizma shfrytëzon për t’i ikur mendjemadhësisë dhe varësisë nga pushteti, Merkel ishte përgjigjur shkurt: “Lexoj artikuj kritik në shtyp”.

Veç kësaj, Merkel rrëfen se si ndjehet kur është në qarkun prej nga e ka prejardhjen dhe spikatë se kur është atje askush nuk emocionohet se para tyre kanë një kancelare dhe hapur ia thonë se çka po ecën mirë e çka jo.

Fakt ky që e hiperbolizon Merkelin pa i shkruar lëvdata, po që është më me rëndësi kjo është pasqyrë se në Gjermani kulti i liderit nuk ekziston.

Leksion tjetër është se “luftëtarja e fundit e demokracisë në Europë”, sic po e quajnë Merkelin, pushtetin nuk e shfrytëzon për t’i mbajtur peng për emrin dhe personalitetin e saj njerëzit rreth saj, por për t’i bërë ata të ndjehen të lirë dhe intelektual me plotëkuptimin e fjalës.

Është hata të dëgjosh një politikanë në Maqedoni- shqiptarë e të mos e përmend liderin në çdo të dytën fjalë.

Lideri ynë, ai e ka bërë, ai ka thënë, lideri ynë e ka nisë, ai pat dhënë shumë alternativa, shembull kemi liderin tonë … blla, blla, blla… Zakonisht politikanët tanë thirren në intelektualizëm.

Po çfarë ka të bëjë intelektualizmi me mendimin e diktuar nga lideri, mundemi ta kuptojmë vetëm në rast se pozicionohemi në horizontin e këtij lloji intelektualësh.

Parulla e mendjes së ndritur, që lidhet me fenomenin që po e përmendi, e që e ka shkruar Imanuel Kant, thotë: “Ki guximin që ta përdorësh mendjen tënde”.

Nuk duhet harruar as atë që na e kujton Karl. R. Popper se, detyra e çdo intelektuali është ndihma ndaj të tjerëve që të çlirohen nga ana mentale dhe kuptimi i qëndrimit kritik.

Si përfundim, ata që e pretendojnë pushtetin sot në Maqedoni i japin vlerë kultit mbi liderin, shpesh duke e përdorur si mjet sa për të marrë pozita në pushtet dhe kështu duke krijuar një hierarki “robërish” që popullin vetëm si rob e duan.

Masë që do të mendonte si mendon një person, pa toleruar laramaninë e ideve dhe shpirtin e lirë e të shprehurit lirshëm./Mesazhi/