Mohamad: Turqia po përparon shumë në industrinë e mbrojtjes

Kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohamad, ka deklaruar se Turqia po përparon shumë në industrinë e mbrojtjes, raporton Anadolu Agency (AA).

Mahathir iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve në forumin “Përparësitë dhe vështirësitë e zhvillimit” i mbajtur në kuadër të Samitit Kuala Lumpur 2019, ku ai tha se, “Muslimanët mund të formojnë një treg shumë të madh në të gjithë botën. Mund të pasurojmë veten tonë nëse formojmë paranë tonë dhe nëse nevojat tona i sgurojmë nga vendet muslimane”.

Ai theksoi se vendet muslimane në situatën aktuale nuk prodhojnë shumë dhe se veprojnë të varur nga jashtë.

 “Për këtë arsye ajo që duhet të bëjmë për të zgjidhur problemet tona është të formojmë paranë tonë dhe nevojat që kemi t’i sigurojmë mes nesh. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë zgjidhim problemet e të gjitha vendeve. Nëse pasurohemi bëhemi edhe të fortë”, tha Mahathir.

Lidhur me fushën e prodhimit kombëtar (vendas), Mahathir theksoi shembullin e Turqisë. 

“Aktualisht kur shohim Turqinë në fushën e prodhimit, Turqia po përparon shumë në industrinë e mbrojtjes. Malajzia mëson shumë gjëra nga Turqia në këtë fushë”, tha Mahathir.

Ai theksoi se ideja që vendet muslimane të plotësojnë vetë nevojat e tyre nuk është një bojkot ndaj vendeve jo-muslimane dhe se ky veprim do të forcojë botën islame.