Mogherini: Ndjekim nga afër hetimet për Khashoggin

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka deklaruar se “Së bashku me partnerët ndërkombëtarë do të ndjekim nga afër rezultatin e hetimeve mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim në lidhje me çështjen, Mogherini rithekson kërkesën e BE-së për një hetim të “besueshëm dhe transparent” për zbardhjen e vrasjes së Khashoggit.

Ajo tha se kanë ndjekur deklaratat e zyrtarëve sauditë më 15 nëntor në lidhje me hetimin. “Duhet të zbardhen të gjitha detajet në lidhje me këtë vrasje të tmerrshme dhe të dënohen shkaktarët”, tha Mogherini.

Mogherini thotë se fillimi i procesit ligjor është një hap i rëndësishëm duke shtuar se BE-ja është kundër dënimit me vdekje.

“Së bashku me partnerët ndërkombëtarë do të ndjekim nga afër rezultatin e hetimeve mbi vrasjen e Khashoggit”, tha ajo.

Mogherini tha se zyrtarët sauditë duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme që të mos përsëritet një rast i ngjashëm. Ajo nënvizoi se vendet anëtare të BE-së në bazë të rezultatit të hetimeve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare do të marrin një qëndrim të përbashkët kundër shkaktarëve.