Mogherini: Iraku ende ka nevojë për mbështetjen e BE-së

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se Iraku në vitet e fundit ka bërë hapa të rëndësishme, por për vendosjen e sigurisë dhe prosperitetit edhe më tej ka nevojë për mbështetjen e BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të vizitës zyrtare në Irak, Mogherini në Bagdad u takua veçmas me presidentin e Irakut, Berham Salih dhe shefin e diplomacisë irakiane Muhammad Ali al-Haqim.

Mogherini pas takimeve vlerësoi autoritetet irakiane për përpjekjet e tyre në rrugën e vendosjes së paqes dhe stabilitetit në vend.

“Iraku ende ka nevojë për mbështetjen e Bashkimit Evropian, i cili ka ndarë 1.2 miliardë euro që nga viti 2014”, tha Mogherini.

Kryediplomati irakian Al-Haqim tha se nga Mogherini ka kërkuar që BE-ja të vendos lehtësime për viza për qytetarët e Irakut të cilët udhëtojnë për turizëm, tregti dhe shkollim.

“Po përpiqemi të ringjallim turizmin në Irak ndërsa me komisaren Mogherini kemi biseduar në lidhje me rivendosjen e linjave të drejtpërdrejta ajrore”, ka thënë Al-Haqim.