Mjegulla, kërkohet kujdes të shtuar të pjesëmarrësve në trafik

Pasojë e mjegullës që ka mbuluar vendin tonë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka urdhëruar operatorët që nga ora 04:00 e mëngjesit të fillojnë kriposjen e rrugëve rajonale, magjistrale dhe autostradave të vendit, si prevenim ndaj ngricave dhe akullit të mundshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur Fillojetë Konjuhi – zëdhënëse e Ministrisë së Infrastrukturës.

Konjuhi ka lutur pjesëmarrësit në trafik që të shtojnë kujdesin meqë dukshmëria horizontale është tejet e ultë në disa pjesë të Kosovës.

“Kriposja ka filluar që nga ora 04:00 e mëngjesit. Kjo si prevenim ndaj ngricave që mund të shkaktojë mjegulla dhe temepraturat e ulëta. Ne lusim që përkundër kësaj, pjesëmarrësit në trafik të rrisin kujdesin, të respektojnë urdhërat e komunikacionit dhe të policisë, sepse dukshmëria horizontale në shumë pjesë të Kosovës është shumë e ulët”, tha Konjuhi për ‘RADIO 1’.

Konjuhi tutje rikujtoi se për gjendje e rrugëve lokale, përgjegjëse janë komunat, mirëpo nëse nuk kanë kapacitete të duhura, ata duhet ti drejtohen Ministrisë së tyre.

“Një sqarim, dje Ministria ka pranuar shumë ankesa qytetare për gjendjen pra mosmirëmbajtjen e rrugëve lokale. Ne sqarojmë se Komunat respektive  e kanë në autoritetin e tyre ta bëjnë këtë gjë dhe normalisht kanë buxhetin e tyre. Nëse kanë probleme mund të na drejtohen neve si Ministri që ti mbështesim. Qytetari nuk bënë të mos ndjehet i sigurt në komunikacion”, shtoi Konjuhi e MI-së.