Mirësitë e haxhit

Më poshtë po përmendim argumentet që tregojnë për mirësitë e haxhit.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَأَذِّنْ فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِجَالًا وَعَلَىٰ كُلِّ ضَامِرٍ يَأْتِينَ مِنْ كُلِّ فَجٍّ عَمِيق لِيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ عَلَىٰ مَا رَزَقَهُمْ مِنْ بَهِيمَةِ الْأَنْعَامِ

“Dhe thirr ndër njerëz me Haxhin, se të vijnë ty në këmbë dhe kalorës mbi deve (të rraskapitura) prej çdo rruge të largët për të dëshmuar dobitë e tyre (qofshin fetare, a dynjaje) dhe ta përmendin Emrin e Allahut në ditë të caktuara në shenjë falënderimi për kafshët me të cilat i ka furnizuar.” Haxh: 27-28.

Prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, është transmetuar se ka thënë se është pyetur i Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe pastrimi i Allahut qofshin për të) se cila punë është më e mirë? Tha: “Besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. Iu tha: “Po pastaj?” Tha: “Xhihadi në rrugë të Allahut.” Iu tha: “Po pastaj?” Tha: “Haxhi i pranuar.” (Muttefekun alejhi)

Buhariu ka transmetuar prej Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se ka thënë:

“Thashë: -O i dërguar i Allahut! Shohim se xhihadi është puna më e mirë, por nuk luftojmë.” Tha: ”Për ju (gratë) më i mirë se xhihadi është haxhi i pranuar.”(E në një transmetim tjetër: “Por më i mirë se xhihadi është Haxhi i pranuar).”

Në të dy “Sahihët” është transmetuar prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ka thënë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, (Lavdërimi dhe pastrimi i Allahut qofshin për të!) të thotë: ”Ai që e kryen haxhin duke mos thënë fjalë të turpshme e duke mos bërë gjynahe, kthehet si ditën që e ka lindur nëna.”

Në të dy “Sahihët” është transmetuar prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe pastrimi i Allahut qofshin për të!) ka thënë:

“Umreja deri në umren tjetër është fshirëse për gjynahet mes tyre dhe haxhi i pranuar nuk ka shpërblim vetëm se Xhenetin.”

Prej Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, është transmetuar se i Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe pastrimi i Allahut qofshin për të) ka thënë:

“Nuk ka ndonjë ditë që Allahu të lirojë në të më shumë rob prej Zjarrit se sa ditën e Arafatit. Ai afrohet, pastaj i mburret melaikeve për ta, thotë: “Çfarë kanë dashur këta ?!” (Transmetoi Muslimi.)