Ministrja Hoxha: Fuqizimi i sundimit të ligjit, nuk ka alternativë

Ministrja Dhurata Hoxha mori pjesë në takimin e Bordit të projektit të UNDP-së “Mbështetje për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, me ç’rast theksoi rëndësinë e mbështetjes që vije nga partnerët e Ministrisë së drejtësisë për reformën ligjore dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Ministria e Drejtësisë është duke përmirësuar llogaridhënien e prokurorëve dhe gjyqtarëve duke reformuar, në aspektin ligjor, procedurat disiplinore kundër tyre; Jemi duke kompletuar mes tjerash reformën e të drejtave pronësore e cila do të ngërthen në vete legjislacionin mbi pronën publike dhe do të sqarojë administrimin e të drejtave pronësore ekzistuese ne vend”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha.

Mbështetja nga UNDP dhe Ambasada e Norvegjisë në këtë rast, theksoi ministrja Hoxha, duke përfshirë këtu edhe partnerët tjerë, është shumë e nevojshme sepse, me këto reforma synohet krijimi i një baze të shëndoshë për funksionim më efikas dhe efektiv të sektorit të sundimit të ligjit.

Falë mbështetjes së këtij projekti, dhe disa projekteve tjera nga partnerë tjerë ndërkombëtarë, Ministria e Drejtësisë, ka kompletuar këtë vit pakon e reformës ligjore e cila adreson mangësitë funksionale në profesionet e lira siç janë ndërmjetësimi dhe provimi i jurisprudencës.

Ministrja Hoxha vlerësoi lartë përkushtimin e ekipit të projektit, përfaqësuesit relevant dhe përfitues të projektit, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Ndërmjetësimi dhe Gjykata e Apelit duke falënderuar Ambasadën e Norvegjisë për kontributin pa mbështetjen se cilës nuk do te mund të realizoheshin këto rezultate dhe prioritete.