Ministrja franceze: Protestat e jelekëve të verdhë duhet të marrin fund

Ministrja franceze e Shëndetësisë, Agnes Buzyn, vlerëson se lëvizja e jelekëve të verdhë është radikalizuar dhe se protestat e tyre duhet të përfundojnë, raporton Anadolu Agency (AA).

Buzyn i tha televizionit LCI se çdo javë në protestat në fjalë shpërthen dhunë. Ajo kujtoi se objektiv i dhunës shpesh herë janë institucionet shtetërore, për çka tha se protestat duhet të përfundojnë.

Edhe dje u mbajtën protesta të jelekëve të verdhë, ku si zakonisht demonstruesit mblidhen në bulevardin Champs-Elysee, ku më pas shkuan në sheshin “Champs-de-Mars”, jo shumë larg Kullës Eiffel, por u shpërndanë shumë shpejtë.

Një grup demonstruesish u mblodh në sheshin e Republikës, ndërkohë që policia në Paris bën të ditur se numri i përgjithshëm i njerëzve që kanë marrë pjesë në protestat e djeshme në Paris ka qenë 1.500, dhe se nuk u raportuan incidente.

Mediat franceze shkruajnë se në protestat e djeshme ka ndodhur një sulm verbal i policëve mbi gazetarët dhe se janë përdorur edhe shkopinj.

Ndërkohë ministria e Brendshme e Francës njofton se në nivel të shtetit, në protestat e fundit morën pjesë 41.500 persona.

Që nga 17 nëntori, mijëra protestues të quajtur “jelekët e verdhë”, tubohen në qytetet kryesore franceze, përfshirë kryeqytetin Paris, për të protestuar ndaj rritjes së diskutueshme të taksave të karburantit dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike.

Sipas të dhënave, në protesta kanë humbur jetën 11 persona dhe mbi 2.000 janë plagosur, ndërsa mbi 6.000 të tjerë janë ndaluar.