Ministria e Pal Lekajt bën dallavere me tenderë dhe ligji shkelet “për hir të interesit publik”

Disa tenderë të ministrisë së Infrastrukturës janë vënë nën llupen e hetuesisë. Një tjetër tender i realizuar nga kjo ministri mund të jetë subjekt i organeve të Prokurorisë.

Është nënshkruar kontrata për “Zgjerimi i rrugës nacionale N 9.1, segmenti Dollc-Gjakovë”. Kontrata e nënshkruar në mes MIT-së dhe kompanive është nënshkruar duke u shkelur Ligji i Prokurimit Publik.

Punët pritet të fillojnë pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Ky institucion i dha leje Ministrisë që të nënshkruajë kontratë për këtë projekt, pas shqyrtimit të dy ankesave, shkruan lajmi.net.

Në fakt, rrugën nënshkrimit të kontratës ia lëshoi kompania ankuese duke u tërhequr nga ankesa e saj. “RSM Comapany” u tërhoq nga ankesa, pasi eksperti shqyrtues i prokurimit i dha të drejt kompanisë ankuese, dhe i rekomandoi Panelit të OSHP-së që këtë lëndë të prokurimit ta kthejë në rivlerësim për lot 1 dhe 3. Por, menjëherë pas këtij vendimi kompania ankuese u tërhoq nga ankesa, dhe Paneli i OSHP-së i gjendur në këtë situatë nuk e mori parasysh më vendimin e ekspertit të saj ku konstatonte se kompanitë u shpërblyen kundërligjshëm, por e miratoi ankesën e kompanisë ankuese për tërheqje nga ankesa, ndërsa ankesën e kompanisë “Sallahu” e hodhi poshtë dhe lejojë nënshkrimin e kontratës.

Lajmi.net ditë më parë ka shkruar se fituesit e këtij tenderi të paktën për lot 1 dhe lot 3 kanë qenë të papërgjegjshëm, por janë shpallur fitues nga Ministria. Më pas, kompania “Sallahu” dhe “RSM Company” janë ankuar tek autoriteti kontaktues se është shkelur Ligji i Prokurimit Publik gjatë vlerësimit të ofertave, pra fituesit janë zgjedh kundërligjshëm, dhe eliminimi i tyre nga gara ka qenë i kundërligjshëm. MIT e ka hedhur poshtë ankesën e dy kompanive. Më datë 10.06.2019, kompania “RSM Compant” ka parashtruar ankesë në OSHP për lot 1, kundër njoftimet për dhënie të kontratës, ku ishte rekomanduar për kontratë kompania “Lika Trade”. Ndërkohë, më datë 17 qershor kompania “Sallahu” ka parashtruar ankesë për lot 1 dhe lot 3.

Ky organ e ka angazhuar ekspertin e vetë shqyrtues Visar Basha.

Duke u bazuar në sqarimet e veta, eksperti shqyrtues i ka propozuar panelit shqyrtues që  kompanisë RSM “Company” për lot 3 t’i aprovohet si e bazuar dhe të anulohet njoftimi për vendim për dhënie të kontratës për lot 3, ndërsa e OE ankesë “Sallahu” të aprovohet si pjesërisht e bazuar dhe të anulohet vendimi për dhënie të kontratës për lot 1 dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Megjithëkëtë, eksperti e ka dhënë një vlerësim të kundërligjshëm, kur ka thënë se operatori ekonomik nuk mund të diskualifikohet për shkak që i ka pajisjet me afat të skaduar të regjistrimit. Pasi në dosjen e tenderit, tek ‘njoftimi për kontratë’ ka qenë një kërkesë që pajisjet duhet të jenë me regjistrim.

Por, pas raportit të ekspertit shqyrtues, ku i ka dhenë të drejtë kompanisë “RSM Compant”, kjo kompani ka vendosur të tërhiqet nga ankesa me arsyetimin se dëshiron t’i lëshojë rrugë projektit dhe mos të ketë vonesa, ani pse pas rivlerësimit do të mund të rekomandohej për kontratë, pasi ishte më e lirë se kompania fituese, dhe sipas ekspertit nuk ishte e papërgjegjshme.

Menjëherë me pas, Paneli OSHP-së në një seancë të mbajtur për këtë lëndë e ka aprovuar kërkesën për tërheqje, ndërsa ankesën e “Sallahut” e ka hedhur poshtë, duke i lejuar kështu Ministrisë që të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës. Ndërkohë, javën e kaluar MIT e ka nënshkruar kontratën edhe për këto dy lote.

“Paneli shqyrtues sqaron se ‘RSM Company’ më datë 3 korrik, ka bërë kërkesë në OSHP duke kërkuar që t’i aprovohet kërkesa e tij për tërheqje nga, duke u arsyetuar që për shkak të interesit publik në mënyrë që mos të ketë pengesa lidhur me zhvillimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm dhe për shkak te procedurave të stërzgjatura neve si kompani nuk na konvenon që të shkojmë me procedurat e shqyrtimit të mëtutjeshëm të ankesës, andaj edhe kërkojmë tërheqjen nga kjo ankesë”, thuhet vendimin e OSHP-së për këtë lëndë.

Paneli shqyrtues ka shqyrtuar dhe analizuar kërkesën e kësaj kompanie për tërheqje dhe konstaton se e njëjta kërkesë aprovohet sepse ankuesi jep arsyeje bazike për aprovim dhe se shqyrtimi i pretendimeve të këtij operatori ekonomik përfundon në këtë fazë.

Vlera monetare e tërësishme për tenderët e shpallur është 21,022,554 euro.

Për lot 1 është shpallur fitues kompania “Kag Asfalt” nga Prizreni me çmim 8,590, 949.83 euro.

Për lot 2 janë shpallur fitues kompanitë në konsorcium “Mirusha & Geci & Rahovica” me çmim prej 6,99, 494.05 euro, me lider kompaninë “Mirusha Company”.

Për lot 3 është shpallur fitues “Lika Trade” nga Deçani me çmim 5, 434, 111.44 euro.

Për tri lote kanë qenë 35 oferta.

Më poshtë mund të shihni vendimin e ekspertit shqyrtues.