Ministria e Jashtme kineze: Këto janë masat që duhen ndjekur për ata që duan të ikin nga Kina

Janë plot 81 vdekje deri më tani si pasojë e coronavirusit në Kinës. Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, këto shifra vijnë nga përfaqësuesve të MPJ kineze, e cila po ashtu bën me dije se janë 2823 raste të konfirmuara, 5794 raste të dyshuara dhe 58 të rikuperuar.

Nisur nga situata e epidemisë, MPJ kineze vë theksin të rregullat e forta administrativo-shëndetësore që duhet të ndiqen pas kësaj situate nga të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë në Kinë.

Nga ana tjetër, zyrtarët kinezë bënë me dije se, disa vende kanë kërkuar evakuimin e shtetasve të tyre përmes avionëve “charter”, por, sipas tyre, në këtë situatë, ky hap nuk është i nevojshëm dhe nuk rekomandohet nga pala kineze.

Në raste të tilla duhet të ndiqen të gjitha rregullat ndërkombëtare si dhe rregullat e masave parandaluese të vendosura nga autoritetet kineze, që, sipas tyre, po zbatojnë një sërë procedurash te komplikuara që nga lejet e fluturimeve, etj.

Sipas përfaqësuesve të MPJ kineze, çdo shtetas që del nga provinca Wuhan, duhet t`i nënshtrohet një karantine 14 ditore, para se të lëvizë lirshëm.

Provinca e Hubeit me kryeqytet Wuhan ka numrin më të lartë të rasteve me 1,423 të konfirmuara, 47 të rikuperuara dhe 76 vdekje.

Të gjitha provincat kanë raportuar raste dhe në shumicën prej tyre është shpallur gjendja e emergjencës së shkallës së parë, niveli më i lartë i emergjencës. Ndërkohë, përveç Kinës dhe vendeve fqinje, virusi tashmë ka kaluar edhe në kontinente të tjera, përfshirë edhe Evropën.

Nisur nga kjo situatë dhe nga fakti që një numër shqiptarësh studiojnë, punojnë dhe jetojnë atje, ambasada shqiptare në Pekin është duke ndjekur me vëmendjen maksimale situatën dhe është në kontakt të vazhduar me ta.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vijojë të mbajë të informuar qytetarët për zhvillimet e situatës./oranews