Ministria e Endrit Shalës, për dy vite “fshiu” 300 mijë euro veç për udhëtime zyrtare

Hiç më pak se 294,791.31 euro është totali i shpenzimeve për udhëtime jashtë vendit që ka bërë ministria e Tregtisë dhe Industrisë për dy vite.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është renditur në vendin e parë në listën e shpenzimeve për udhëtime zyrtare gjatë vitit 2018, kështu ka konstatuar Instituti GAP.

Bazuar në raportin financiar që posedon lajmi.net, për 33 zyrtarë, ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2018 për shpenzime zyrtare ka harxhuar hiç më pak se 143,459.24 euro.

Prej tyre, 32,894 euro për bileta, 44,685 euro për ushqim, 40,531 euro për akomodim në hotele, shpenzime tjera 11,131 euro dhe mëditje 14,218 euro.

Sidoqoftë viti 2019 është rënduar ende më shumë sa i përket shpenzimeve të buxhetit.

Në krahasim me vitin paraprak (2018), 33 zyrtarë ky institucion në periudhën janar-nëntor 2019 ka shpenzuar, për udhëtime zyrtare, 151,332.07 euro.

Nga shuma e lartpërmendur për bileta janë shpenzuar 36,980 euro, për ushqim 47,829 euro, 48,245 euro akomodim nëpër hotele, shpenzime të tjera përfshinë shifrën e 15,872 eurove dhe mëditje hiç më pak se 2,394.

Këto shpenzime janë bërë në tentim të tërheqjes së investitorëve të huaj në Kosovë, sidoqoftë pa ndonjë rezultat të kënaqshëm.

Kjo ministri që aktualisht udhëhiqet nga Endrit Shala nuk u rehatua me udhëheqësit. Fillimisht ministër i MTI-së ishte Bajram Hasani, i cili u shkarkua nga kjo pozitë nga partia e tij Nisma, tani, ai është pjesë e Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas Hasanit, ushtruese e detyrës së ministrit, ishte zgjedhur Arbëreshë Krasniqi.

Kurse, më 1 tetor 2018, ministër i MTI u emëruar Endrit Shala.

Një hulumtim i Institutit GAP, tregoi se shpenzimet e institucioneve të Kosovës për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit në vitin 2018 ishin rreth 14.7 milionë euro, që paraqet shumën më të lartë të shpenzuar për këtë kategori që nga viti 2014.

SHPËRNDAJE