Ministri Lluka e nis ditën me ajet kuranor, thotë se u keqkuptua rreth bartjes së shamisë në shkolla

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukaditë më parë u pa në një video teksa ishte pyetur përbartjen e shamisë në shkolla, e që kishte thënë se është kundër.

Por ai sot teksa ka cituar një ajet kuranor dhe ka publikuar një fotografi me vajzën e myftiut Naim Tërnava, sqarohet duke thënë se është keqinterpretuar.

Ai thotë se nuk është kundër shamisë si koncept, por kundër imponimit.

Ky është statusi i tij në Facebook:

“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote” (El kehf: 46)

Për dhe rreth mbajtjes së shamisë në shkolla:

Duke qenë pjesë e jetës publike, jo rrallëherë ndodh që deklarimet mediale të keqinterpretohen, me qëllim ose pa qëllim!

Fillimisht dëshiroj të theksoj se bindjet e mija politike janë liberale, rrjedhimisht unë besoj në të drejtat dhe liritë e secilit individ për të vendosur për vete, andaj edhe në këtë rast besoj se secili individ i moshës madhore, i vetëdijshëm, ka të drejtë të vendosë vetë nëse do të bartë shami apo ndonjë simbol tjetër fetar.

Deklarata ime ka qenë për fëmijët në shkolla, të moshës së re, të cilët mbaj mendimin se nuk duhet mbuluar e as të imponohet mbulimi i tyre nga prindërit. Fëmijët janë pjesa më e bukur e jetës, prandaj edhe duhet të shihen si të tillë.

Personalisht kam shumë miq praktikues të devotshëm dhe këtë e respektoj shumë. Një nga ta është edhe mikja ime Refiqe Ternava, më të cilën jemi bërë bashkë për shtetin!

I juaji,
Valdrini