Ministri jordanez: Kosova duhet të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe Interpolit

Kosova duhet të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe Interpolit, tha ministri i Punëve të Brendshme të Jordanisë, z Salameh Hamada.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë pritur sot në takim delegacionin nga Mbretëria e Jordanisë, i prirë nga ministri i Punëve të Brendshme, z. Salameh Hamada.

Me këtë rast, kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Daut Haradinaj, ka informuar fillimisht delegacionin nga Jordania lidhur me situatën e sigurisë në vend, si dhe për punën dhe angazhimin e këtij komisioni parlamentar.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Jordanisë, z. Hamada pasi ka njoftuar anëtarët e komisionit në mënyrë të detajuar lidhur me situatën në Jordani dhe në rajon, tha mes tjerash se gjëja më e rëndësishme është paqja dhe siguria në vend. “Nëse nuk ekziston paqja dhe siguria në një shtet, atëherë nuk do të ketë zhvillim në asnjë fushë”, tha z. Hamada.

Ai në vijim ka folur edhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Jordanisë, duke vënë në pah faktin se ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera mes këtyre dy shteteve në shumë fusha dhe duke konfirmuar faktin për bashkëpunim të mëtejmë mes këtyre dy vendeve.

”Ne mund ta ndihmojmë njëri tjetrin në shumë fusha. Ka shumë gjëra që mund t’iu ndihmojmë, si në forcimin e policisë, përmes trajnimeve dhe vizitave në Jordani, e po ashtu edhe rreth çështjes së decentralizmit”, tha ministri jordanez, duke potencuar faktin se Kosova duhet të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe Interpolit.

Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe çështja e luftimit të terrorizmit. Përkitazi me këtë çështje,Haradinaj sqaroi tashmë është hartuar baza ligjore për parandalimin e pjesëtarëve në luftimin jashtë vendit në Kosovë dhe se tashmë është kompletuar pakoja ligjore për parandalimin e kësaj dukurie. Ai tha se në gjashtë muajt e fundit të këtij viti asnjë qytetarë i Kosovës nuk e ka lëshuar Kosovën për tu bërë pjesëmarrës në luftëra të huaja. Ndërkaq, shqetësim kryesor sipas Haradinaj mbetet procesi i transformimit të FSK-së në ushtri.

Tutje, Haradinaj kërkoi nga shteti jordanez që të lobojë në shtete tjera edhe për njohje të shtetit të Kosovës .

Anëtarët e Komisionit falënderuan delegacionin nga Mbretëria e Jordanisë për vizitën e bërë në Kosovë, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë ky shtet për Kosovën, si dhe për mundësinë e bashkëpunimin në të ardhmen.