Ministri Ismaili nënshkruan Listën e re të Barnave Esenciale

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar sot Listën e re të Barnave Esenciale.

Kjo listë, e cila ka mbi 100 produkte të reja, është hartuar duke marrë në konsideratë edhe analizën e zhvillimeve në industrinë farmaceutike, transparencën dhe llogaridhënien.

Ministri Uran Ismaili, tha se Lista e re e Barnave Esenciale është gjithëpërfshirëse dhe popullatës sonë do t’i mundësojë që të përdor barna cilësore, të sigurta dhe kost-efektive.

“Kjo Listë përveç që do të siguroj barnat më të mira për popullin tonë, krijon një mburojë financiare për ta dhe ndalë varfërimin e tyre që ka ndodhur deri më sot”, ka thënë ministri Ismaili.

Lista e re e Barnave Esenciale është produkt i punës profesionale dhe ekspertizës ndërkombëtare e vendore, profesionistëve shëndetësorë, pacientëve dhe shoqatave të tyre.  Për herë të parë, hartimi i Listës është bërë me ndihmën dhe nën monitorimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shoqërisë civile dhe Agjencisë kundër Korrupsionit.

Për herë të parë, përmes nënshkrimit të Deklaratës mbi Konfliktin e Interesit, është parandaluar çfarëdo forme apo manifestim i konfliktit eventual të interesit nga anëtarët e Komitetit.

Revidimi i LBE, bashkë me miratimin e Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave dhe pajisjeve medicinale, paraqesin thelbin e zhvillimit të reformës në sektorin farmaceutik dhe atë të shëndetësisë në Kosovë.