Ministri dorëzohet përballë studentëve, tërheq vendimin për bursa

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka tërhequr vendimin e shpallur ditë më herët për ndarjen e bursave, për të cilin vendim studentët e Fakultetit të Edukimit, Artit dhe Edukatës Fizike kanë mbajtur protesta.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, bëri të ditur se po e tërheqin vendimin për shkak të presionit, por megjithatë sipas tij, vendimi ka qenë i drejtë sepse janë mbështetur programet deficitare.

Ai tha se po e tërheq vendimin vetëm për shkak të rrethanave se është ministër në largim, ndryshe ai tha se në asnjë mënyrë nuk do të merrte vendim për ta anuluar konkursin.

“Ne jemi shumë të vendosur që ky vendim ka qenë vendimi më i drejtë i cili mund të ekzistojë kur merret përkrahja e studentëve në këto programe dhe në rrethanat në të cilat sot ne jemi po detyrohemi që të marrim një vendim tjetër, pra të bëjmë një anulim të vendimit deri në ardhjen e ministrit të ri në detyrë. Për arsye të presioneve të cilat jo vetëm sot, por cdo moment kur ne kemi tentuar që të bëjmë një reformë e cila do t’i sillte të mira institucioneve të arsimit në Kosovë ka pasur moskuptime apo dëshira për të mos kuptuar ndryshimet pozitive që priten nga këto ndryshime. Si rrjedhojë ne po e bëjmë këtë tërheqje të vendimit për shkak të rrethanave në të cilat jemi sot, pasi si një ministër në largim, përndryshe po të ishte në rrethanat normale në asnjë mënyrë ne nuk do të kishim marr vendim me e anulua konkursin, sepse konsiderojmë se është konkursi më i drejtë i mundshëm për përkrahjen e programeve deficitare”, tha Bytyqi.

Ai tha se në kundërshtimin për bursa nuk janë të përfshirë vetëm organizatat studentore, por edhe akterë të tjerë.

Bytyqi deklaroi se pas ardhjes së ministrit të ri do të diskutojë me të dhe do t’ia tregojë arsyet në të cilat janë bazuar për ndarjen e bursave.

Po ashtu, ministri në detyrë i Arsimit tha se studentët duhet ta kenë të qartë se bursat që ndahen nga Ministria nuk janë bursa gjithëpërfshirëse.

“Kjo analizë është bërë brenda një viti, pra ka një vit që MAShT në bashkëpunim edhe me Universitetin e Prishtinës, se ne jemi pak të habitur me heshtjen që po e bënë UP, me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe me shumë akterë të tjerë kemi diskutuar për situatën në shumë programe nëpër fakultete që sot na rrezikohet për mbyllje. Pra, këtu është fjala për shumë programe në fakultetit Teknik dhe disa programe të shkencave ekzakte dhe pikërisht nga kjo situatë e cila ka zgjatur në diskutimin një vjeçar, ku kemi diskutuar gjetjen e mundësive dhe fondeve të ndryshme për stimulimin e kuadrove në këto programe ka ardhur deri tek vendimi që në këtë vit do të përkrahet vetëm pjesa e programeve që kanë të bëjnë me Fakultetin Teknik dhe shkencat ekzakte. Pra, asnjë shkencë sociale nuk është përfshirë në bursë”, tha ai.

Ai tha se vendimi nuk kishte të bënte fare me diskriminim, por vetëm duke e kuptuar situatën në Fakultetin Teknik.

Kreu i arsimit në largim tha se është për keqardhje që çdo reformë është penguar, ku ka përmendur iniciativën për riorganizimin e universiteteve publike, por që tha se është keqkuptuar dhe është marrë si iniciativë për mbylljen e universiteteve.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim për ndarjen e bursave për Fakultetin e Bujqësi- Veterinari, FShMN, Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji, Fakultetin Teknik dhe Shkenca të Aplikuara.