Milot Rashica i gatshëm t’i ‘tmerrojë’ kundërshtarët, tregon pse mori numrin 7

Milot Rashica ka qenë futbollisti më i mirë i Werder Bremenit në edicionin 2018/19 si në Bundesliga, ashtu edhe në kompeticionet tjera nacionale.

Ndonëse me një fillim të vështirë në futbollin gjerman, 23-vjeçari është përshtatur në vazhdim me skuadrën e Bundesligës duke qenë i pamëshirshëm kundër kundërshtarëve.

Futbollisti që përfaqëson me krenari Përfaqësuesen e Kosovës e mbylli edicionin e kaluar me 13 gola dhe gjashtë asistime në të gjitha kompeticionet, shkruan Zëri.info.

Pas përfundimit të edicionit të kaluar, Miloti u kthye në Kosovë për t’i kaluar pushimet verore në vendlindje, por pas përfundimit të pushimeve, ai tashmë është kthyer me skuadrën në përgatitje para-sezonale.

Skuadra gjermane aktualisht gjendet në Austri, derisa Miloti duket në formë të mirë dhe i gatshëm edhe për një edicion mbresëlënës me Werder Bremenin.

Në edicionin 2019/20, Rashica do ta mbajë fanellën me numrin 7 dhe jo me numrin 11, të cilin e mbante nga edicioni i kaluar.

Në një përgjigje për faqen zyrtare të klubit të Werder Bremenit në Instagram, 23-vjeçari ka treguar edhe arsyen pse ka zgjedhur t’i kthehet numrit 7.

“Këtë numër e kam mbajtur edhe në Holandë si dhe e kam te Përfaqësuesja”, tha shkurtimisht ish-futbollisti i Vushtrrisë dhe Vitesses.

Gjithashtu, Rashica ka treguar edhe për objektivat që ka me Werder Bremenin në edicionin e ri, skuadër me të cilën nuk arriti të kualifikohet për në garat evropiane.

“Synoj të shënoj gola dhe asistime sa më shumë. Dhe t’i ndihmoj skuadrës t’i arrij objektivat”, theksoi reprezentuesi kosovar.

Ndryshe, forma e lartë e Milotit ka bërë që shumë skuadra t’i vihen pas në tregun e transferimeve.

Përveç Crystal Palaces, javë më parë gjiganti portugez kishte lansuar një ofertë prej 20 milionë euro në drejtim të Rashicës, ofertë e cila ishte refuzuar kategorikisht nga Werder Bremeni./Zëri.info