Mijëra protestues në Beograd, kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme

Mjëra qytetarë në protestën “Një nga pesë milionë” në Beograd, kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit serb të Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq.

Pjesëmarrësit e protestës mbanin pankarta me mbishkrimet “Jemi pesë milion”, “Mjaft me premtime dhe gënjeshtra, pensionistët janë të uritur”, “Ne jemi populli”, ndërsa marshuan nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit serb, trafiku i të cilave ishte i ndaluar, raporton Anadolu Agency.

Aktori Branisllav Trifunoviq, të tubuarve në protestë u tha se nëse i pyesin se kush është organizator i protestave, të thonë se organizator është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse siç tha, “po të mos ishte ai, nuk do të kishte protesta”.

Trifunoviq i përsëriti kërkesat nga protestat e mëparshme, si “zbardhja e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, zbulimi i urdhëruesit të sulmit ndaj gazetarëve dhe opozitës, si dhe opozita të ketë hapësirë 5-minutëshe në lajmet e Radio Televizionit të Serbisë (RTS)”.

Në protestat e fundit “Një nga pesë milion” u shtua edhe dorëheqja e ministrit të brendshëm, të cilit i porositën që “në vend që t’i numërojë pjesëmarrësit në protesta, të numërojë sa vrasje kanë ndodhur në Serbi”.

Gjatë protestës nuk u regjistruan incidente. Tubimi i ardhshëm i tyre është planifikuar të mbahet të shtunën e ardhshme, më 5 janar të vitit 2019.

Ndryshe, protestat organizohen pas sulmit ndaj njërit prej udhëheqësve të Aleancës për Serbinë (SZS) dhe kreut të partisë së majtë të Serbisë, Borko Stefanoviq, i cili u sulmua fizikisht para tubimit të SZS-së në Krushevac.