Mijanmar, ndjekje penale për policët që ushtruan dhunë ndaj muslimanëve

Autoritetet e Mijanmarit kanë thënë se do të ndjekin penalisht pjesëtarët e forcave të sigurisë të cilët në muajin nëntor të vitit të kaluar janë xhiruar se si keqtrajtojnë muslimanët Rohingya në provincën Rakhine, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo video është prova e parë vizuale e abuzimit, e cila sipas raportit të grupeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ushtrohet kundër pjesëtarëve Rohingya, pakicës së shtypur muslimane dhe pakicës më të pambrojtur në botë.

Incidenti i cili u regjistrua nga polici i Mijanmarit vërshoi rrjetet sociale, dhe në të mund të shihet se si policia godet një grup të muslimanëve Rohingya, duke përfshirë edhe adoleshentë, derisa ata rrinin me duar rreth qafës në tokë.

Zyra e presidentit të Mijanmarit të hënën deklaroi se videoja ishte xhiruar gjatë operacionit të bastisjes në fshatin Tan Koe Kauk në rrethin e Maungdaw më 5 nëntor, dy ditë pasi delegacioni i OKB-së kishte vizituar zonën.

Ushtarët e Mijanmarit morën kontrollin e zonës në kufirin me Bangladeshin më 9 tetor, pas sulmit në punktin policor ku u vranë nëntë policë. Që atëherë, shumica e agjencive dhe gazetarët e pavarur nuk u lejuan të futeshin në zonat ku jetojnë muslimanët Rohingya, ndërsa 96 persona, prej të cilëve 17 ushtarë dhe 76 sulmues të dyshuar u vranë në përleshje.

Megjithatë, organizatat joqeveritare thonë se në operacionet ushtarake janë vrarë rreth 400 muslimanë Rohingya.

Mijanmari, ku jetojnë rreth 60 milionë njerëz, me shumicë budiste, në vitin 2011 kaloi në regjim demokratik të qeverisjes.

Megjithatë, në konfliktet fetare në pesë vitet e fundit, janë vrarë 280 muslimanë, ndërsa 140.000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut pohojnë se muslimanët Rohingya çdo ditë janë të ekspozuar ndaj dhunës sistematike, por edhe diskriminimit ligjor, social dhe ekonomik.