Miftaraj: Prokuroria t’i hetojë shpenzimet enorme nga Qeveria

Qeveria “Haradinaj” ka shpenzuar afërisht 6 milionë euro nga fondi rezervë në projekte, të cilat me një planifikim të duhur lehtësisht kanë mundur të parashihen në Ligjin për Buxhet për vitin 2019.

Mbi 90% e buxhetit të shpenzuar nga fondi rezervë janë shpenzuar në projekte, që nuk kanë qenë raste urgjente dhe as të paparashikuara. Ligji përcakton në mënyrë të qartë se shpenzimi i rezervave shtetërore mund të ndodhë vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe në situata të paparashikueshme

Qeveria “Haradinaj” ka shpenzuar afro 6 milionë euro nga rezervat e buxhetit të shtetit dhe me këtë rast ka shkelur rëndë parimin e qeverisjes së mirë dhe të sundimit të ligjit. Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri” drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj. Ai ka sqaruar se ligji përcakton në mënyrë të qartë se shpenzimi i rezervave shtetërore mund të ndodhë vetëm në raste të jashtëzakonshme e në situata të paparashikueshme dhe për projekte, të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashihen ose të planifikohen me Ligjin për Buxhetin, i cili miratohet çdo fundvit.