M’Gladbach përmbys Bayernin dhe ruan kreun

Borussia Monchengladbach ka fituar 2-1 me përmbysje përballë Bayernit të Mynihut dhe ka konsoliduar pozitat në krye të renditjes në kampionatin gjerman. 

Në sfidën më të rëndësishme të javës në Bundesligë, bavarezët kaluan të parët në avantazh në fillim të pjesës së dytë me anë të kroatit Ivan Perisic, por nuk arritën të ruajnë avantazhin.

Kjo pasi vendasit shtuan presionin dhe barazuan me Bensebaini, ndërsa po i njëjti lojtar shënoi edhe golin e dytë në shtesë, nga pika e penalltisë, duke u dhënë tre pikët të tijve.

Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Monchengladbach, që ruan kreun me 31 pikë, ndërsa Bayern Munchen pëson humbjen e dytë radhazi dhe zbret në vendin e 6 me 24 pikë, 7 pikë larg kreut. 

Fitore të thellë 5-0 mori edhe Borussia Dortmund përballë Dusseldorfit, ndërsa ky trepikësh e ngjiti në vendin e tretë me 26 pikë. Dopieta e Reus dhe Sancho, dhe një gol nga Thorgen Hazard, kompletuan fitoren e thellë të verdhezinjve. 

Në takimet e tjera, Leipzig mposhti Hoffenhaimin 3-1, ndërsa Freiburg triumfoi minimalisht 1-0 përballë Wolfsburg. Fitore 2-1 mori edhe Augsburgu në shtëpi, përballë Mainzit.