Meta: Prokuroria të hetojë, do të ketë mbështetje

Kreu i Shtetit, Ilir Meta i ka drejtuar një mesazh të qartë organit të akuzës, duke i kërkuar vënien para përgjegjësisë penale të të gjithë zyrtarëve shtetërorë e ndërtuesve, për shembjen e pallateve.

Në një intervistë televizive Meta tha se “prokuroria t’i shkojë deri në fund këtyre hetimeve për të evidentuar përgjegjësitë penale të të gjithë personave, përfaqësues të institucioneve vendore, qendrore apo biznesit privatë”.

Ai kujtoi se ky tërmet ishte paraprirë nga ai i 21 shtatorit kështu që mund të ishin marrë masa të cilat mund të bënin që bilanci i viktimave dhe dëmeve të ishte më i vogël. Meta shprehu gjithashtu edhe  përkrahjen e tij për prokurorinë në këtë proces.

“Përsa u takon përgjegjësive penale, Prokuroria ka nisur proceset dhe ajo duhet të vazhdojë në këtë drejtim dhe atë askush nuk e pengon të bëjë punën e saj. Përkundrazi, ka të gjithë mbështetjen për të evidentuar të gjitha përgjegjësitë në mënyrë që askush të mos guxojë në të ardhmen të projektojë në një mënyrë të papërgjegjshme, të ndërtojë në një mënyrë të papërgjegjshme apo të marrë një objekt në dorëzim në mënyrë të papërgjegjshme, sepse kjo padyshim që nuk i kursen jetët e qytetarëve, siç dhe për fat të keq ndodhi.”, tha Meta. /Opinion.al