Meta: Liria fetare është thelbësore për paqen dhe stabilitetin

Konferenca ndërkombëtare me temë “Feja si instrument për paqen”, ka mbledhur në Tiranë zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme, ndërsa në fokus të saj janë diskutimet për disa çështje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e konferencës organizuar nën kujdesin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit ishin të pranishëm zyrtarë të lartë nga vendet e Ballkanit, përfaqësues të besimeve fetare nga vende të ndryshme të botës, ambasadorë, përfshirë edhe ambasadorin Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Meta: Liria fetare është thelbësore për paqen dhe stabilitetin

Presidenti Meta në fjalën përshëndetëse në hapje të konferencës tha se liria fetare është thelbësore për paqen dhe stabilitetin.

“Diversiteti fetar është padyshim një nga pasuritë më të mëdha që shoqëria njerëzore ka trashëguar, që nga lindja e saj e deri më sot. Shqiptarët janë ndër popujt që përgjatë gjithë historisë së tyre nuk kanë njohur asnjëherë luftëra dhe konflikte fetare. Kjo është arsyeja pse harmonia e shkëlqyer, toleranca dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri janë një shembull dhe frymëzim për mbarë botën”, u shpreh presidenti i Shqipërisë.

Meta theksoj më tej se “Ndaj çdo forme fondametalizimi, ekstremizmi, terrorizmit ideologjik apo dogmatik, mund të përballemi vetëm duke qenë të bashkuar, të bashkuar rreth vlerave universale dhe njerëzore, që i shërbejnë paqes dhe prosperitetit për qytetarët dhe vende tona”.

“Kombi shqiptar ka dhënë dhe jep një shembull shumë pozitiv”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij theksoi se kur nuk ka tolerancë politike dhe fetare dhe kur urrejtja e të gjitha llojeve mbizotëron, sipas tij, rrezikohet paqja dhe keqpërdoret feja.

“Kombi shqiptar ka dhënë dhe jep edhe sot e kësaj dite një shembull shumë pozitiv, shumë të mirë dhe shumë të qëndrueshëm. Shqiptarët janë të besimit islam dhe të krishterë, janë muslimanë, katolikë dhe ortodoksë, me siguri ka të tillë që janë edhe ateistë. Por, e tëra kjo shumësi identitetesh në raportin tonë ndaj Zotit ka bashkëjetuar në një tolerancë dhe mirëkuptim, që janë vlera tradicionale ndër ne”, tha Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në fjalën e tij theksoi se të drejtat dhe liritë universale të njeriut duhet të mundësohen njëlloj për të gjithë.

“Praktikimi i një feje kurrë nuk guxon të jetë në dëm të një feje tjetër, kurrë nuk guxon të jetë me diskriminim të një feje tjetër. Natyrisht edhe liria e fesë i nënshtrohet rregullave të përgjithshme të cilat vlejnë për të gjithë qytetarët dhe gjithmonë duhet të jenë në vijë të njëjtë me kushtetutën dhe ligjet aktuale. Ruajtja e paqes dhe sigurimi i kushteve dinjitoeze për jetë është obligim i të gjithë politikbërësve, tha Xhaferi.

Sam Brownback, përfaqësues nga Departamenti Amerikan i Shtetit, tha se Shqipëria është një shembull perfekt i lirisë fetare.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviç, në fjalën e tij theksoi se Mali i Zi është një shtet i cili është i dedikuar për mbrojtjen e lirisë fetare në të gjitha çështjet.

Në panelet e konferencës dyditore do të diskutohet për disa tema, si “Besimi si një e mirë e përbashkët për përparimin e paqes”, “Roli i fesë në shoqëritë postkomuniste” dhe “Të mbijetuarit nga persekutimi fetar”.