Meta betohet si President/ Nishani nis shpërnguljen drejt vilës në Farkë

Familja e Presidentit Nishani nis zhvendosjen nga vila qeveritare numër 4 për në zonën rezidenciale të vilave private në Fark në dalje të Tiranës, bënë me dije burime për ReportTv nga protokolli i shtetit.

Aktualisht sqaruan burimet ka nisur zhvendosja e orendive dhe sendeve personale të familjes Nishani për ti liruar ato pasi të hënë më 24 korrik në mesditë sipas ceremonisë zyrtare ato i dorëzohen presidentit të ri Ilir Meta.

Ndërsa presidenti Meta i cili merr detyrën ditën e hënë ende nuk ka vendosur nëse do të zgjedh rezidencën qeveritare numër 4 ku qëndroi presidenti Nishani apo do të qëndrojë në të njëjtën banesë ku është aktualisht në zonën e kodrës së diellit.

Të hënën Meta merret në ruajtje

Të hënë pritet që presidenti Meta të merret në ruajtje dhe nga eskorta me 12 shoqërues, që për 24 orë të ndarë në dy grupe janë përgjegjës për sigurinë fizike të tij në ambientet e zyrës, banesës, dhe çdo lëvizje që kryen presidenti.

Në ruajteje të gardës së republikës vendoset dhe zonja e parë Monika Kryemadhi e cila gëzon dhe statusin e deputetes dhe eskorta e saj do të përbëhet nga një automjet, shoqërues dhe shofer.

Pas betimit, Metës i dorëzohet makina e blinduar “TR 0001 Z”./Mesazhi/