Messi: Jemi më të fortë në mbrojtje pas largimit të Neymarit

Ylli argjentinas i ekipit spanjoll të ligës së parë të futbollit Barcelonës, Lionel Messi, ka thënë se janë bërë më të fortë në mbrojtje pas largimit të brazilianit Neymar në fillim të sezonit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Messi, i cili javën e kaluar vazhdoi kontratën me Barcelonën, duke folur për revistën gjermane Kicker lidhur me performancën e ekipit këtë sezon, tha se ekipi ka ndërmarrë ndryshime pas ardhjes së teknikut spanjoll Ernesto Valverde dhe pas marrëveshjes së Neymarit me klubin francez Paris Saint-Germain (PSG).

“Ishte e nevojshme që të ndryshojmë sistemin e lojës pas largimit të Neymarit. Fuqia jonë sulmuese u zvogëlua në njëfarë mase, por ne tani jemi më të organizuar në mbrojtje. Lojtarët në mesfushë luajnë më qetë dhe krijojmë lojë më të balancuar”, është shprehur 30-vjeçari Messi.

Ylli argjentinas ka rikujtuar se janë një nga tre ekipet që ende nuk janë mposhtur në ligë dhe Ligën e Kampionëve këtë sezon.

“Ekipet e tjera që këtë sezon nuk kanë humbur asnjë ndeshje, Manchester City dhe PSG, duken si kundërshtarët tanë më të fortë”, ka shtuar ai.

Duke folur edhe në lidhje me Real Madridin dhe Bajern Mynihut, të cilët këtë sezon janë duke kaluar në një periudhë më pak të suksesshme krahasuar me periudhat e kaluara, Messi ka theksuar se ende është herët të jepet vlerësim për këto dy klube me përvojë, duke thënë se sezoni ende është në fillim.

Messi, i cili këtë sezon është paraqitur 20 herë në ndeshjet e Barcelonës, ka shënuar 16 gola dhe gjashtë asistime.