Messi edhe 5 vjet në Barcelonë

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka këmbëngulur se Lionel Messi do të mbetet pjesë e klubit katalonas për të paktën edhe pesë vjet të tjera.

Superylli argjentinas ka kontratë me Barçën deri në vitin 2021, por e ka një klauzolë në marrëveshje me klubin e cila ia mundëson atij të largohet nga Camp Nou në verë si lojtar i lirë.

Dhe edhe pse klubi është duke u përgatitur për jetën pas Messit duke i bërë disa blerja të profilit të lartë në dy vjetët e fundit, Bartomeu beson se klubi i tij nuk do ta humbasë Messin njëherë për njëherë.

“Natyrisht se do të ishte dëshira e të gjitha palëve nëse ai (Leo Messi) ndihet i fuqishëm dhe ambicioz, për ta vazhduar kontratën në pafundësi”, tha Josep Maria Bartomeu.

“Në fund është ai i cili duhet të vendosë. Ai e meriton të drejtën për të vendosur kur t’i japë fund lojës së futbollit. Ama siç ka thënë edhe vetë ai ditë më parë, ai dëshiron ta mbarojë karrierën si futbollist në Barcelonë”, shtoi ai.

“Leo Messi do të vazhdojë të jetë lideri jonë në dy apo tri sezonet e ardhshme. Nuk ka dyshim se ai është ende i ri dhe i fortë. Ende ka ambicie. Messi do të luajë për ne në dy, tri, katër apo pesë sezonet e ardhshme. Nuk dyshoj në këtë”, theksoi ai.