Messi e fiton Këpucën e Artë, barazohet me Ronaldon

Lionel Messi e ka pranuar sot çmimin “Këpuca e Artë” si top golashënuesi evropian, të katërtin në karrierë, duke e barazuar kështu rekordin e rivalit të tij, Cristiano Ronaldos, për më së shumti “Këpucë të Arta”.

Ylli i Barcelonës e mori këtë çmim – i cili i dhurohet top golashënuesit të Evropës – për 37 golat që i shënoi në sezonin 2016/17 në La Liga.

Më parë Messi e ka fituar këtë çmim edhe në vitet 2010, 2012 dhe 2013.

Ndërkohë, Ronaldo, po ashtu katër herë fitues i këtij çmimi, e ka fituar atë në vitet 2008, 2011, 2014 dhe 2015.

Vitin që lamë pas, Ronaldo shënoi vetëm 25 gola, duke mos u futur as në top pesë golashënuesit më të mirë.

Një vit më parë, ky çmim i takoi Luis Suarezit.