Mesdheu po përvëlohet, i nxehti nga Saharaja rrit temperaturat në 40 gradë

Edhe në këtë fillim jave, protagonist mbetet anticikloni afrikano verior që me të gjithë fuqinë e tij dhe ngarkesën me ajër përvëlues që vjen nga Saharaja, i shtyn temperaturat sërish drejt majave të reja, rreth 40 gradëve, në rajonet e Evropës jugore, përfshirë këtu Shqipërinë, Italinë dhe Greqinë.

Edhe pjesë kontinentale të Evropës po përjetojnë temperatura të larta, pavarësisht se jo nga ato që çuan në thyerje rekordesh të kohërave

Sipas BBC, kushtet e motit do të jenë të pëziera këtë javë në kontinent me rrezikun e stuhive të befta ndërsa në disa zona pritet që mërkuri në termometër të ndalet në 40 gradë celcius. Një sistem moti i presionit të ulët po shtyhet mbi Evropë me vendet skandinave që do të regjistrojnë stuhi dhe erëra të forta në kohën kur Mesdheu do të përvëlohet, me një seri paralajmërimesh në fuqi në vende të ndryshme të rajonit. Pas fundjavës me diell dhe të nxehtë në Mesdhe, temperaturat prej rreth 40 gradësh do të regjistrohen të hënën në Shqipëri, Greqi, Itali, Spanjë etj, me një tendencë rënieje vetëm pas mesjave ndërkohë që Zvicra, Austria dhe Polonia, mund të përballen po ashtu me stuhi të befta.

Evropa njohu dy valë shkatërruese të nxehti, në qershor dhe në korrik, kur temperatura rekord u shënuan dhe pati madje edhe viktima në njerëz.

SHPËRNDAJE