Mesazhi i qartë i gjermanëve për VV-në e LDK-në: Mos humbni kohë në gjëra teknike, formojeni qeverinë

Peter Beyer, dhe Christian Schmidt, deputetë gjerman të CDU-së po vizitojnë sot Kosovën ku janë takuar me zyrtarë të VV-së dhe LDK-së në përpjekje për ndihmesën në arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës.

Schmidt, para mediave ka thënë se është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë një qeveri stabile, dhe të mos ketë lojëra, shkruan lajmi.net.

“Jemi të njëjtit mendim, që për një vend që sapo ka dalur nga zgjedhjet, është e rëndësishme që të ketë një qeveri stabile dhe mos të ketë lojëra, dhe mendoj që modeli spanjoll nuk është një model që është për t’u imituar”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka edhe shumë kohë për arritjen e marrëveshjes, por se ai është optimist se me dialog mund të arrihet një gjë e tillë.

“Më e rëndësishmja në politikë është që të kihet besim dhe përgjegjësi. Për krijimin e parlamentit ka mbetur edhe një javë kohë, që do të thotë se nuk ka shumë kohë. Por, kur bisedojnë me njëri tjetrin, atëherë mund edhe të gjindet zgjidhja, dhe në këtë e kemi ndjerë të të dyja grupet që ka një përkushtim nga të dyja anët”, ka thënë ai.

Schmidt ka thënë se për të gjitha çështjet që Kosova mendon se janë për të mirën e saj, Gjermania do të jetë mbështetëse e madhe.

Sipas tij, Kosova ka rëndësi të madhe në Ballkan, për integrimin e regjionit në BE.

Ndërkaq, Peter Beyer tha se është shumë e rëndësishme që liderët politikë të kuptojnë përgjegjësinë që kanë për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Ai tha se ata nuk janë duke intervenuar apo interferuar në koalicionin mes VV-së e LDK-së, por se janë duke përquar mesazhe dhe këshilla.

“Të gjithë që janë të përfshirë në këto negociata duhet ta kuptojnë se s’mund të humbin në detaje teknike. Duhet formimi i një qeverie funksionale për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Beyer.