Merkel: t’i përmbushim parakushtet për rifillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut

Kancelarja gjermane Angela Merkel dje në Zagreb, pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, tha se i vjen keq për mos hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut gjatë takimit të mëparshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të Kongresit të Partisë Popullore Evropiane, të mbajtur në Zagreb nga 19 deri më 21 nëntor 2019, ku morën pjesë udhëheqës të shumtë të shteteve dhe institucioneve evropiane, dje u mbajt një takim midis kancelares gjermane Merkel dhe kryeministrit kroat Plenkoviç.

Merkel tha se të dy vendet do të kenë bashkëpunim shumë të ngushtë në periudhën e ardhshme pasi ata do të kryesojnë Këshillin e BE-së. Ajo tha se Gjermania do të mbështeste axhendën e Presidencës kroate me gjithë fuqinë e saj.

“Për shkak se problemet që do të zgjidhen gjatë Presidencës kroate, nuk do të duhet t’i zgjidhim ne dhe kjo është arsyeja pse besojmë se duhet të punojmë ngushtë së bashku. Ne kemi të njëjtat prioritete”, tha Merkel.

Ajo theksoi se Gjermania mbështet planet e Qeverisë së Kroacisë që gjatë presidencës të realizohet një takim në format të plotë me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Është e rëndësishme që ne t’i përmbushim të gjitha parakushtet për rifillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Më vjen keq, ashtu edhe Plenkoviçit, që ne nuk patëm sukses gjatë Këshillit të fundit”, tha Merkel.

Ajo i vlerësoi marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Kroacisë si shumë të mira, duke thënë se të dyja vendet nuk kanë shumë çështje të hapura, ata kanë një bashkëpunim të mirë ekonomik, për të cilin ajo mendon se mund të ishte edhe më i mirë.

E pyetur për propozimin e Francës për të ndryshuar procesin e bisedimeve të pranimit në BE, Merkel tha se së pari duhet të diskutohet me Francën se cilat elemente mund të përmirësohen ose të ndryshohen saktësisht në procesin e pranimit.

“Ne jemi të gatshëm për bisedime, megjithëse sot ekziston një gamë e plotë e fleksibilitetit në proces. Duam të pajtohemi sa më shpejtë që të mund të bëjmë përparim konkret. Duhet të ketë një perspektivë realiste të pranimit në BE për vendet në Ballkan, sepse nuk është mirë të premtojmë diçka dhe më vonë të heqim dorë”, tha Merkel.

E pyetur nga gazetarët se si Kroacia, si një vend i vogël dhe i ri i cili, përkundër zhvillimit, ka probleme me zbatimin e të drejtave të njeriut në kufi me migrantët, mund ta udhëheqë komunitetin evropian, Merkel u përgjigj:

“Më duhet të them se Kroacia, si një vend i ri, mund të sjellë përvojën e saj sepse kujtimet e saj për procesin e pranimit janë shumë të freskëta, për dallim nga Gjermania, pranimi i së cilës shkon në të kaluarën e largët. Unë mendoj se BE jeton duke pasur këndvështrime të ndryshme dhe mendoj se Gjermania ka përvojë me refugjatët dhe migrantët, por nga këndvështrimi i një vendi që duhet të mbrojë kufijtë e saj të jashtëm, kjo duket ndryshe se sa nga perspektiva e një vendi që ndodhet në mes të zonës Shengen”, tha Merkel, dhe shtoi:

“Prandaj, unë gjithmonë i kam dhënë një vlerë të madhe ruajtjes së Shengenit. Kjo është arsyeja pse sot ne biem dakord që të kemi një marrëveshje me Turqinë dhe vetëm në këtë mënyrë ne do të jemi në gjendje të flasim në mënyrën e duhur. Gjithashtu, unë do të isha e gatshme që përfundimisht Turqinë, e cila ka shumë detyrime në këtë drejtim, t’i japim ndihmë shtesë dhe kemi diskutuar rreth kësaj”.

Merkel në fund theksoi se vendet e reja anëtare dhe ata që kanë qenë anëtarë për një kohë të gjatë përbëjnë një “përzierje të këndshme”.

“Kjo do të na ringjallë dhe prandaj i gëzohem Presidencës kroate. Ne do të ndajmë përvojat tona”, tha kancelarja gjermane Merkel.