Merkel: Sonte diskutojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën e Serbinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë mbajtur një konference për media në Berlin.

Gjatë kësaj konference, kancelarja Merkel tha se vendim për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi sonte nuk pritet të ketë, por tha se “pret zgjidhje mes dy vendeve”.

Ajo po ashtu tha se Gjermania e Franca duan të tregojnë se është në interes të përbashkët që të shohim zhvillimin e Ballkanit.Derisa ka shtuar se sonte do të diskutojnë se si mund ta gjejnë një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë.

“Jemi të përkushtuar për perspektiven evropiane të vendeve të Ballkanit, por kjo s’ka të bëjë me zgjerimin. Gjermania e Franca duan të tregojnë se është në interes të përbashkët që të shohim zhvillimin e Ballkanit. Në darkë do të diskutojmë se si mund ta gjejmë një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë. Ideja jonë është që të shohim se si të pajtohemi për t’i lehtësuar e jo vështirësuar gjerat. Nuk do të ketë ndonjë vendim sonte. Ky është një format joformal që nuk e zëvendëson Procesin e Berlinit”, deklaroi MerkelKurse, presidenti Francez, Emmanuel Macron, ka thënë se takimi i sotëm është joformal dhe si i tillë në të s’do të flitet për çështje të hapura të vështira.

“E kemi parë që ka mundësi të zgjidhjeve siç është rasti i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo ndodhë kur njerëzit janë të guximshëm. Çështja kryesore e diskutimit do të jetë Kosova dhe Serbia. Duam që të vazhdojnë dialogun. Nuk duam të imponojmë zgjidhje për Kosovën e Serbinë. Shpresojmë që të mos ketë emocione në rrugën përpara dhe vështirësi të reja. Ku ka tensione, duam t’i adresojmë”, deklaroi Macron.