Merkel riafirmon premtimin e BE-së për Turqinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka ripërsëritur të martën zotimin e Bashkimit Evropian (BE) për marrëveshjen rreth refugjatëve të arritur me Turqinë, pavarësisht mosmarrëveshjeve të fundit politike mes Ankarasë dhe kryeqendrave evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat në Berlin, Merkel, tha se pjesa më e madhe nga 3 miliardë eurot e premtuara nga BE-ja tashmë janë alokuar për projekte të cilat synojnë të mbështesin refugjatët sirianë në Turqi, fonde këto të cilat nuk janë shfrytëzuar të gjitha.

“BE qëndron në premtimin për të vënë në dispozicion një shtesë prej 3 miliardë euro, sapo kjo shumë fillestare prej 3 miliardë eurove të jetë shfrytëzuar tërësisht”, tha ajo.

Komentet e Merkelit u bënë pasi paraprakisht komisioneri i BE-së për Buxhetin, Gunther Oettinger, të premten e kaluar u bëri thirrje vendeve anëtare që t’i përmbahen zotimeve të tyre sipas marrëveshjes, dhe deri në fund të vitit 2018 të ndajë fonde shtesë nga buxhetet e tyre kombëtare.

Merkel është një mbështetëse e fortë e marrëveshjes BE-Turqi të arritur në mars të vitit 2016 me të cilën synohet parandalimi i migracionit ilegal përmes Detit Egje, përfshirë masa të ashpra kundër trafikantëve dhe përmirësimin e kushteve për refugjatët sirianë në Turqi.

Deri në qershor të vitit 2017, BE ka nënshkruar kontrata për 48 projekte totali i të cilave ka tejkaluar 1.6 miliardë euro. Deri më sot, nga 3 miliardë eurot e premtuara janë disbursuar 811 milionë euro.

Sipas marrëveshjes BE-Turqi, deri në fund të vitit 2018, shtetet evropiane duhet të mobilizojnë një fond shtesë prej 3 miliardë euro.