Merkel për herë të parë viziton Aushvicin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka zhvilluar vizitën e saj të parë në ish-kampin e përqendrimit nazist Aushvic, në të cilin rreth një milion njerëz u vranë midis viteve 1940 dhe 1945, transmeton Anadolu Agency (AA).

Merkel gjithashtu dha një donacion prej 60 milionë euro për fondacionin, që mban emrin sipas kampit.

Paratë do të përdoren për ruajtjen e mbetjeve fizike të vendit – kazermat, kullat e rojes dhe sendet personale, siç janë këpucët dhe valixhet e të vrarëve.

Së bashku, këto sende vlerësohen si dëshmi të mizorive gjermane dhe si një nga simbolet më të njohura në botë të krimeve ndaj njerëzimit. Por, ata duhet të ruhen dhe të kujdesen për shkak të motit dhe turizmit masiv.

I shoqëruar nga kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, Merkel filloi vizitën e saj në krematorium.

Merkel dhe Morawiecki gjithashtu vizituan vendet e ekzekutimit, ku ata nderuan viktimat.

Ky është donacioni i dytë, kur Gjermania dhuroi 60 milionë euro në kohën kur u themelua fondacioni 10 vjet më parë, tha Muzeu Aushvic-Birkenau.

Këto në total janë 120 milionë euro në donacione nga Gjermania, që është më e larta midis 38 vendeve kontribuese.

Që kur u bë kancelare në vitin 2005, Merkel ka nderuar viktimat në kampet tjera të përqendrimit nazist dhe ka qenë pesë herë në Muzeun Izraelit të Holokaustit dhe Memorialin Yad Vashem.

Megjithatë, Ministria e Jashtme polake e quajti vizitën e saj si “historike”.

Forcat gjermane naziste vranë rreth 1.1 milion njerëz në kompleksin Aushvic-Birkenau gjatë pushtimit të tyre të Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shumica e viktimave ishin hebrenj, të zhvendosur nga e gjithë Evropa për t’u vrarë në dhomat e gazit. Por, aty po ashtu u vranë edhe dhjetëra mijëra të tjerë, përfshirë polakët, robërit sovjetik të luftës dhe romët.Kampi i përqendrimit në jug të Polonisë rreth 70 kilometra larg Krakovit, i cili fillimisht ishte menduar si burg për të burgosurit politikë polakë, u çlirua nga Armata e Kuqe më 27 janar 1945. Në vitin 1947, me vendim të Parlamentit Polak, kampi Aushvic fitoi statusin e muzeut kombëtar dhe është i vetmi vend i tillë që gjendet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.