Në kryeqytetin e Gjermanisë do të mbahet sot Samiti i Berlinit, ku do të mblidhen liderët e Ballkanit Perëndimor, me ftesë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel si dhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Gjatë pasdites së djeshme në Berlin kanë arritur edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj e kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Por jo vetëm kaq. Në këtë Takim të Berlinit në mes vete do të takohen liderët kosovarë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Indeksonline.
Ndryshe Thaçi pak para nisjes për në Berlin mbajti një konferencë për media ku tha se gjatë këtij samiti do të bisedohet për mundësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë, e ë sipas tij, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare, e cila do t’i sjellë stabilitet Ballkanit Perëndimor.
E në anën tjetër kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se janë dy çështje kryesore para se të nis ky samit. E para që Gjermani dhe Franca të mbështesin Kosovën për liberalizimin e vizave, dhe e dyta që këto dy vende të bëjnë të qartë se në dialogun Kosovë-Serbi, tema e ndryshimit të kufijve nuk mund të diskutohet.
Madje edhe presidenti Thaçi shtoi dje se çështja e shkëmbimit të territoreve është pazar që askush nuuk do të guxojë ta bëjë.
Në margjinat e këtij samiti , nuk është përjashtuar as mundësia që Merkel dhe Macron të diskutojnë me liderët kosovarë për mundësinë e pezullimit të taksës 100%.
Pjesë e këtij samiti do të jetë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Në këtë takim do të paraqiten të gjitha sfidat dhe do të theksohet përpjekja për pajtim, vendosja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal.
Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor po shihet edhe si një mundësi e mirë që vendet e këtij rajoni të përfitojnë nga projektet e përbashkëta që do të mbështeten nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Gjermania.
Samiti i Berlinit gjithashtu ka të bëjë me mbështetjen që Gjermania dhe Bashkimi Evropian në përgjithësi u japin gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnje Hercegovinës në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në rrugën e tyre drejtë anëtarësimit të BE-së.