Melania Trump “urren” të shikojë familjet që ndahen në kufirin amerikan

Melania Trump, bashkëshortja e presidentit amerikan Donald Trump ka shprehur se “urren” të shikojë familjet që ndahen në kufirin amerikan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Stephanie Grisham, zëdhënësja e zonjës së parë në SHBA tha se Melania Trump “urren” të shikojë fëmijët që ndahen nga familjet për shkak të praktikës “tolerancë zero në kufi” që SHBA-ja ka filluar ta zbatojë kundër emigrantëve ilegalë dhe se ajo shpreson që “palët në të dyja anët e kufirit të bëjnë reforma në ligjet e migracionit”.

Grisham gjithashtu ka bërë të ditur se Melania ka thënë që ka “besimin se ka nevojë për një vend që zbaton ligjet por në të njëjtën kohë edhe për një vend që qeveriset me ndërgjegje”.

Të dhënat e Departamentit të Sigurisë së Brendshme të SHBA-ve, bëjnë të ditur se gjatë kalimeve ligale në kufirin e SHBA-ve gjatë periudhës 19 prill-31 maj kanë qenë të detyruar të ndahen nga prindërit e tyre rreth 2.000 fëmijë.

Sipas praktikës së re të administratës Trump, të rriturit që hyjnë në SHBA në mënyrë të paligjshme arrestohen, ndërsa fëmijët dërgohen në shtëpitë e kujdesit që ka përcaktuar Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale.

Kjo praktikë ka shkaktuar debate në vend dhe po ashtu është kritikuar edhe nga demokratët dhe nga personalitete të njohura.