Medreseja e Shkodrës, institucion i promovimit të vlerave dhe paqes

Qyteti i Shkodrës është një ndër qytetet e spikatura me kulturë të gjithanshme në Shqipëri, por më shumë njihet me bashkëjetesën fetare dhe si një qytet arsimdashës. Një nga promotorët e këtyre vlerave dhe më gjerë, si vlerave fetare, kulturës qytetare, paqes dhe besimit të bazuar në atë çfarë përfaqësojnë vlerat e të gjitha institucioneve shtetërore dhe fetare, është edhe Medreseja Haxhi Sheh Shamia.

Publikimi i një videoje disa ditë më parë me protagoniste një ish-mësuese të kësaj medreseje, ku pretendohej se ajo bënte propagandë për një organizatë terroriste, shkaktoi reagime të shumta.

Drejtues të saj, mësues, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal në Shkodër, nxënës dhe qytetarë shprehin vlerësimet më të larta për këtë institucion arsimor.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), drejtori i kësaj medreseje, Kujtim Dervishi i cili është një nga kontribuuesit e arsimit në qarkun e Shkodrës tregon rrugëtimin e kësaj shkolle duke vënë në dukje se nisi përmes nismës së disa intelektualëve të qytetit të Shkodrës.

Duke theksuar se gjatë këtyre 25 viteve kjo shkollë ka dhënë një kontribut të madh fetar dhe shkencor dhe ka patur marrëdhënie shumë të mira me të gjitha institucionet, Dervishi thotë se është vlerësuar nga institucione të ndryshme deri tek Presidenca e Republikës së Shqipërisë, e cila me rastin e 25-vjetorit të themelimit të medresesë i ka akorduar asaj titullin më të lartë të kësaj fushe siç është “Naim Frashëri i Artë”.

“Medreseja është një institucion shumë i hapur publik, që ka kërkesa të vazhdueshme për regjistrimet. Sot kjo shkollë ka 1080 nxënës me 44 klasa, nga 60 nxënës që kishte në fillimet e saj me dy klasa. Kjo është një vlerë për qytetin e Shkodrës të cilën ne e kemi kthyer në punë, kontribut dhe në një realitet i cili vazhdon të vlerësohet edhe sot. Ministria shqiptare e Arsimit dhe Sporteve, në klasifikimin që bën për shkollat për rezultatet në fusha të ndryshme e ka renditur në kuadër të shkollave tetëvjeçare në vendin e tretë, ndërsa për gjimnazet në vendin e dytë”, shprehet ai.

Medreseja, një nga shkollat më të shkëlqyera në qytet

Deputete e Partisë Demokratike për Qarkun Shkodër, Irma Kopliku, në një prononcim për AA rreth Medresesë Haxhi Sheh Shamia thotë se ajo është padyshim një nga shkollat më të shkëlqyera të këtij qyteti. Ajo historikisht ka qenë një nga institucionet më të mira të Shkodrës, thotë ajo dhe më pas shton se e ndjen veten me fat që dikur ka qenë pjesë e stafit drejtues të kësaj medreseje. Kopliku thekson se vitet kur ajo ishte në këtë shkollë kanë qenë vitet më të bukura në profesionin e saj.

“Ndihem shumë krenare që takoj sot ish-studente të miat që janë në profesione të ndryshme si mjeke, ekonomiste dhe mësuese të nderuara”, thotë ajo.

Ndërsa Greta Bardeli, kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, thekson se Shkodra ka nxjerrë figura të njohura në shumë fusha, dhe shton se qyteti i Shkodrës mburret me harmoninë fetare dhe lançimin e kësaj kulture më gjerë. Ajo shprehet se si djep i kësaj kulture rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe shkollat fetare, qofshin ato muslimane apo të feve të tjera.

“Shkodra shquhet jo vetëm për vlerat e saj artistike, kulturore dhe politike, por edhe për atë që ka dhënë në formimin arsimor. Një rol shumë të veçantë kanë luajtur edhe shkollat parauniversitare. Dy nga këto shkolla janë edhe shkollat fetare, njëra prej të cilave Haxhi Sheh Shamia. Kjo shkollë ka nxjerrë pedagogë të shkëlqyer. Unë kam qenë e ftuar në disa aktivitete, ku jam ndjerë shumë mirë. Kjo shkollë jo vetëm që përcjell vlerat e një qytetërimi, por edhe të një kulture fetare. Një institucion me një performancë tepër të mirë, me laboratorë të mirë, me një staf akademik të mrekullueshëm, me mësues dhe mësuese të përkushtuar për të përçuar vlera në formimin e brezave të rinj”, shprehet Bardeli për AA.

Ndërkohë Valjeta Bajraktari, drejtoreshë e Degës së Vajzave në Medresenë Haxhi Sheh Shamia shpjegon se ky institucion krahas mësimdhënies ka një plan edukativ shumë të larmishëm. Duke folur për aktivitetet e ndryshme të zhvilluara në këtë shkollë, Bajraktari thotë se nxënësit e medresesë marrin pjesë në aktivitete brenda dhe jashtë shkollës.

Duke treguar disa nga këto aktivitete Bajraktari në vijim thotë: “Mund të përmendim aktivitetin në teatrin Migjeni me titull ‘Përjetësisht me ty’ i cili zhvillohet çdo vit dhe bëhet nga grupi artistik i shkollës. Nxënësit tanë realizojnë aktivitete dhe panaire të ndryshme në qytet me rastin e festave, marrin pjesë në aktivitete të tjera, si olimpiada dhe aktivitete sportive. Nxënësit tanë bëjnë aktivitete dhe vizita në shtëpinë e të moshuarve, në shtëpinë e fëmijës dhe në shkollat speciale, ku ato dërgojnë edhe dhurata të ndryshme duke iu qëndruar pranë njerëzve në nevojë.”

“Gjatë shkollimit fëmijët e mi kanë plotësuar dijen time për besimin”

Ndërsa në një prononcim për AA, Hydajete Kraja Muçaj, një qytetare e Shkodrës tregon se është nënë e 3 fëmijëve, të cilët i ka arsimuar në Medresenë Haxhi Sheh Shamia.

Duke vënë në dukje se kur dëgjoi për ngjarjen e fundit të publikuar në mediat vendase ajo ka menduar se mos është ndonjë shaka, Muçaj shprehet se nuk e kishte menduar që mund të ndodhen përballë një situate të tillë me një përgjigje naive nga një mësuese, e cila sipas saj është një person i nderuar në Shkodër, por mendimi i saj ishte absolutisht i gabuar.

Medreseja është një vlerë e domosdoshme për qytetin e Shkodrës, shprehet Muçaj në fjalën e saj duke shtuar se ky institucion i ka dhënë vlera qytetit me edukimin e fëmijëve. “Në këtë shkollë janë të mishëruara vlerat për të edukuar fëmijët të cilët mund të japin kontributin e tyre në përparimin dhe civilizimin e shoqërisë. Mund ta them këtë me bindje të plotë, pasi kam 3 fëmijë përmes të cilëve kam mësuar shpesh nga dijet që merrnin në këtë shkollë. Në qytetin e Shkodrës janë me mijëra njerëz që kanë fëmijët në këtë shkollë dhe duke e parë në një këndvështrim tjetër fëmijët kanë përçuar tek ne ndjenjat më të mira morale nga dijet që kanë marrë nga mësuesit në këtë shkollë”, thekson Muçaj.

Ajo shton më tej se “Gjatë shkollimit fëmijët e mi kanë plotësuar dijen time për besimin. Mësimi që ato kanë marrë në shkollë nuk kanë patur shenja ekstremizmi. Përveçse na e kanë mbushur shtëpinë me mirësi dhe begati duke përqafuar Islamin me vlerat e tij më të mira dhe duke e gërshetuar atë me traditën e popullit tonë. Unë mendoj që rasti që ndodhi nuk ja ul aspak vlerat Medresesë së Shkodrës. Mendoj se nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se i ka nxjerr në pah vlerat që ka. Djali është inxhinier, vajza është arkitekte, ndërsa vajza tjetër është nxënëse e ekonomisë. Djali me rezultatet e arritura në këtë shkollë ka marrë pjesë edhe në olimpiadën ndërkombëtare të matematikës në Vietnam, ku ka marrë edhe vlerësim.”

Ndërkohë në një vlerësim të marrë nga nxënësja e klasës së 12-të, Fatime Bajraktari mësuam se nxënësit në këtë shkollë nuk kanë mësuar dhe nuk mësojnë informacione që kanë të bëjnë me ekstremizmin e dhunshëm, përkundrazi siç shprehet edhe vetë ajo ata njihen me vlerat e paqes dhe përhapjes së tyre në familje dhe komunitet.

Duke vënë në dukje se ajo ashtu sikurse drejtuesit dhe mësueset e saj distancohet nga çdo lloj nxitjeje urrejtjeje dhe dhune si dhe propagandimin e saj, Bajraktari thotë se ka ardhur nga një shkollë shumë e mirë këtu dhe është transferuar pikërisht për cilësinë dhe vlerat e saj. “Në shkollën tonë jo vetëm që nuk flitet për ekstremizmin e dhunshëm, por unë jam krenare që mësueset tona na flasin dhe na tregojnë që duhet të jemi njerëz humanë dhe njerëz të paqes pasi vetë fjala Islam do thotë paqe. E ndjej veten shumë me fat që jam në këtë shkollë dhe kjo shkollë me të vërtetë ka provuar se ka nxjerrë njerëz që nuk janë vetëm të fushës së besimit apo teologjisë, por janë të suksesshëm në të gjitha fushat. Sot kemi shumë medresistë që janë mjekë, inxhinierë, ekonomistë, etj”, thekson nxënësja Fatime Bajraktari.

Medreseja Haxhi Sheh Shamia ka nisur rrugëtimin e saj në vitin 1991 dhe më pas duke shtuar shërbimin e saj me degën e vajzave, është sot padyshim një nga shkollat më kryesore jo vetëm qytetit të Shkodrës, por në të gjithë Shqipërinë. Ajo numëron rreth 1080 nxënës nga shkolla fillore deri në ciklin e shkollës së mesme. Me aktivitetet sociale kulturore dhe humanitare kjo shkollë është lokomotiva e promovimit të vlerave të Islamit në këtë qytet.

SHPËRNDAJE