“Medicus”, 8 vjet e gjysmë burgim për Lutfi Dervishin e Sokol Hajdinin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar të akuzuarin, Lutfi Dervishi me 7 vjet e gjashtë muaj burgim për veprat “trafikim me qenie njerëzore” dhe “krim të organizuar” në rastin e njohur si “Medicus”.

Ai është dënuar edhe me 8000 mijë euro gjobë dhe po ashtu i është ndaluar ushtrimi i profesionit të urologut për periudhë dyvjeçare, njofton Klan Kosova.

Edhe i akuzuari tjetër, Sokol Hajdini është gjetur fajtor për akuzën “lëndim i rëndë trupor” dhe është dënuar me 1 vjet burgim.

Rasti “Medicus’” që ishte gjykuar nga EULEX-i ishte kthyer në rigjykim nga trupi gjykues i Gjykatës Supreme të Kosovës.

Gjykata e Apelit kishte dënuar urologun Lutfi Dervishi me 8 vjet burgim derisa anesteziologun Sokol Hajdini me 5 vjet burgim.

Paraprakisht, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi Dervishin në vitin 2013 me 8 vjet burgim derisa këtë vendim ia vërtetoi në vitin 2016 edhe Gjykata e Apelit.

Sokol Hajdinit i ishte rritur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 3 vjet burgim sa kishte shqiptuar Gjykata Themelore e Prishtinës në 5 vjet burgim.

Pjesë e rastit “Medicus” ishte edhe djali i urologut Lutfi Dervishi, Arban Dervishi, i cili ishte dënuar me 8 vjet burgim.

Ai nga Gjykata Themelore ishte dënuar me 7 vjet e tre muaj burgim derisa Gjykata e Apelit ia kishte rritur dënimin në 8 vjet burgim.

Por trupi gjykues e kishte veçuar procedurën ndaj Arban Dervishit i cili është akoma në arrati.